Integrimi mbetet pa dieta
Shkurtimi i buxhetit si efekt i krizës ekonomike ka prekur edhe institucionin që mbulon integrimin e vendit për në Bashkimin Europian. Ministria e Integrimit do të ketë për pjesën e dytë të vitit rreth 30 milionë lekë më pak, duke prekur disa zëra në administrimin e institucionit. E pranishme në Komisionin parlamentar të Integrimit, zv/ministria Jorida Tabaku tha se shkurtimi i buxhetit nuk ndikon në projektet kryesore të ministrisë. “Me uljen e 30 milionë lekëve, ministria do të ketë më pak fonde për dieta e udhëtime, si dhe do të heq dorë në disa plane për përkthimin e legjislacionit, në kuadër të përafrimit të MSA-së”, tha Tabaku. Për kryetaren e komisionit, socialisten Ermelinda Meksi, reduktimi i buxhetit për Ministrinë e Integrimit nuk nxit përafrimin e aspiratave tona për në BE. “Me pakësimin e fondit, 30 milionë lekë, qeveria nuk fiton dhe as nuk humb gjë. Buxheti nuk duhej ndryshuar”, tha Meksi. Por zv/ministria tha se, pavarësisht shkurtimeve, buxheti vijon të jetë 50 për qind më i lartë se ai i vitit 2009. Sipas saj, janë mundur të kursehen 8 milionë lekë nga përkthimi i pyetësorit të BE-së. Aktualisht, Shqipëria ka munduar që rreth 70 për qind të ligjeve t’i përafrojë me standardet e BE-së.
#