E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Greqia po bllokon të ardhurat e emigrantëve

08/08/2011  Buxhuku: Të merren masat për amnistinë fiskale. Bizneset greke fitime shumë të larta në Shqipëri

Alb-Konfindustria shpreh shqetësimin lidhur me përpjekjet e vendimmarrjes politike të Greqisë për ndalimin e dërgimit të të ardhurave dhe kapitaleve të emigrantëve shqiptarë në atdhe. “Përpjekjet e mësipërme janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore të demokracisë, globalizimit të tregjeve dhe gjithë marrëveshjeve ndërkombëtare”, - thuhet në deklaratën e dhënë për mediet nga Gjergj Buxhuku. Në të njëjtën kohë e vërteta e plotë e shkëmbimeve të kapitaleve financiare dhe të ardhurave personale ndërmjet të dy vendeve flasin në humbje të qartë të Shqipërisë në favor të Greqisë. Alb-Konfindustria vlerëson se, nëse masa kryesore e të hyrave financiare nga Greqia në drejtim të Shqipërisë përfaqësohen nga remitancat e të punësuarve shqiptarë, në drejtim të shtetit fqinj shkojnë shuma të mëdha në formën e dividendit të bizneseve greke në vendin tonë si dhe kapitale financiare me vlerë prej qindra milionë euro të përvitshme, që shkojnë në mbulimin e importeve të larta të Shqipërisë. Nga vlerësimet e përafërta del se vetëm fitimet e siguruara në Shqipëri dhe të transferuara në drejtim të Greqisë e tejkalojnë ndjeshëm masën e përgjithshme të remitancave të emigrantëve shqiptare që hyjnë në Shqipëri. Janë norma fitimi të siguruara në tregje strategjike, si: telekomunikacionet, sistemi bankar, nafta dhe nënprodhimet e saj, çimento si dhe prodhime të industrisë agroushqimore. Vlerësohet se vetëm në tregun e telekomunikacionit shuma e përgjithshme e fitimeve të kompanive me kapital grek, pjesë e rëndësishme e të cilave janë të transferuara drejt Greqisë, kapin shifrat 2 miliardë euro.

Alb-Konfindustria vlerëson se, nëse do të shtojmë edhe sektorët e tjerë të lartpërmendur të ekonomisë, është qartësisht e kuptueshme se bilanci i përgjithshëm i shkëmbimeve financiare ndërmjet 2 vendeve është qartësisht në favor të Greqisë dhe në dëm të Shqipërisë. “Këtu nuk po vlerësojmë përfitimet e jashtëzakonshme të ekonomisë greke nga importet shumë të larta të Shqipërisë prej dhjetëra miliardë eurosh në të gjithë kohën prej 20 vjetësh”, - thuhet në deklaratë. Gjithashtu duhet vlerësuar edhe fakti se në shumë raste kemi të bëjmë me dalje në shuma të mëdha dhe në mënyrë të paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit, të siguruara nga evazioni fiskal i kompanive me kapital të huaj, përfshirë edhe kompani greke, që nuk i janë nënshtruar taksimit duke goditur ashpër qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe ekonominë e Shqipërisë.

Alb-Konfindustria u kërkon institucioneve shtetërore që të marrin të gjitha masat e duhura të marketingut për të bërë të mundur përfshirjen në amnistinë fiskale të të gjithë emigrantëve shqiptarë që vijnë në atdhe për pushimet e verës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›