E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Biznesi raporton krizë të thellë

Biznesi në Shqipëri duket se është i "terrorizuar" nga kriza, por konsumatorët ndjehen pak më të sigurt për periudhën afatshkurtër, bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e saj mbi Indeksin e Besimit të Biznesit dhe Konsumatorëve. Besimi te perspektiva ekonomike në Shqipëri mësohet se ka rënë me 33 për qind gjatë tremujorit të parë të këtij viti, rënie shumë më e fortë sesa ajo e regjistruar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Besimi tek ekonomia shqiptare është në nivelin më të ulët që në vitin 2004, kohë kur indeksi filloi të raportohej nga Banka e Shqipërisë. Indeksi pyet menaxherët e kompanive të rëndësishme si dhe konsumatorët mbi ecurinë ekonomike të muajve të shkuar dhe pritshmëritë në muajt në vijim. Pyetësori është plotësuar gjatë muajit prill. Pasojat e krizës ekonomike kanë shtyrë industrinë dhe ndërtimin të ndalojnë investimet prej gjashtë muajsh, ndërsa thonë se tani për tani nuk kanë plane për të investuar së paku për edhe gjashtë muaj të tjerë. Konsumatorët, ndonëse kanë më pak stres financiar sesa biznesi, presin gjithashtu që papunësia të rritet në muajt në vijim, ndërsa shumica e tyre kanë pezulluar planet për blerje të mallrave afatgjatë, si makina apo pajisje shtëpiake, ndërsa kanë pak besim se do të arrijnë të kursejnë.

"Vlerësimi i bizneseve për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 pësoi rënie të theksuar. Kërkesa e brendshme në tremujorin e parë është vlerësuar në rënie, së bashku me kërkesën për eksporte. Më shumë se gjysma e bizneseve të industrisë (55 për qind) janë shprehur se kontratat porositëse në tremujorin e parë janë më të ulëta se normalja. Rreth 74 për qind e bizneseve janë shprehur se nuk kanë kryer investime në gjashtëmujorin e fundit. Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese të bizneseve të industrisë ka rënë me 10 për qind në tremujorin e parë, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008. Pritjet për tregues të ndryshëm të aktivitetit të industrisë për tremujorin e dytë të vitit 2009 dhe për kryerjen e investimeve në gjashtëmujorin e ardhshëm mbeten negative.

Ndërtimi

Aktualisht, 56 për qind e bizneseve ndërtuese i vlerësojnë të pamjaftueshme kontratat porositëse të regjistruara në tremujorin e parë. Gjendja e inventarëve, pas një rritjeje në tremujorin e katërt të vitit 2008, është vlerësuar në ulje në tremujorin e parë të këtij viti. Në të njëjtën kohë, çmimet e prodhimit të firmave ndërtuese pas rënies në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, regjistruan rritje në tremujorin e parë të vitit 2009. Bazuar në vrojtimin e fundit, 75 për qind e bizneseve ndërtuese nuk kanë kryer investime në pajisje teknologjike të reja gjatë gjashtëmujorit të fundit. Pritjet për tremujorin e dytë paraqesin një panoramë të ngjashme me situatën aktuale, ku pjesa më e madhe e treguesve të aktivitetit pritet të keqësohet.

Shërbimet

Kërkesa në sektorin e shërbimeve ka vijuar prirjen rënëse që nga tremujori i mëparshëm. Në të njëjtën kohë, në rënie vlerësohet edhe gjendja e përgjithshme e biznesit, ku balanca neto ra me rreth 19 pikë përqindjeje krahasuar me T4-08. Problemet lidhur me rendin dhe sigurinë, situata politike, si dhe korrupsioni dhe ekonomia joformale, renditen ndër faktorët të cilët kanë penguar zhvillimin normal të aktivitetit të tyre. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në T1-09 ka rënë në rreth 67.2 për qind, nga 73.6 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm. Pritjet e firmave të sektorit të shërbimit për tremujorin e ardhshëm janë më pesimiste se vlerësimet e shprehura për tremujorin e parë 2009. Pritjet për gjendjen ekonomike dhe ecurinë e përgjithshme të biznesit gjatë T2-09 janë negative. Gjithashtu, në nivele negative qëndrojnë edhe pritjet për kërkesën dhe situatën e punësimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›