E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, politikanët shfrytëzojnë fëmijët

Në prag të fushatës elektorale, Kryeministri i vendit dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, si sfond, në daljet e tyre publike, kanë gjithmonë fëmijët. Të gjithë fëmijët, të cilët dalin të organizuar nga mësuesit, në këto takime politike, janë nën moshën 18 vjeç dhe kjo gjë bie ndesh me Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, në të cilën ndalohet përdorimi i fëmijëve në fushata elektorale. Shembull i freskët është vizita e 10 ditëve më parë në Belsh, ku Kryeministri i vendit mori pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Belsh- Kuçovë. Të gjithë nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme kanë dalë në miting. Ndonëse kishin në program që të kryenin nga pesë ose gjashtë orë mësimi atë ditë, kanë lënë mësimin për gjysmë dhe me autobusë janë nisur drejt vendit ku do të kryente takimin politik, Kryeministri Berisha.

"Bëmë dy orë mësim. Na tha drejtori se do të ketë miting. Do të bëjmë dy dorë mësim dhe do të shkojmë atje", tregojnë vetë nxënësit, përpara kamerës së "Fiks Fare". Disa të tjerë tregojnë se kanë qenë vetë mësuesit që i kishin orientuar për të shkuar në takimin me Kryeministrin. Madje, u kishin vendosur edhe autobusë në dispozicion. Kur pyetëm drejtuesit e shkollës 9-vjeçare "Halit Uruçi" të Belshit se përse u kishin kërkuar nxënësve që të merrnin pjesë në takimin politik të Kryeministrit Berisha, ata e mohuan një fakt të tillë. Por, sapo ora shënoi 10:30 të gjithë nxënësit dolën nga klasat, hipën në autobusët e prenotuar për këtë rast dhe u nisën drejt sheshit, ku do të organizohej pritja për Kryeministrin Sali Berisha.

Për të marrë një përgjigje se përse lejohet që fëmijët të shfrytëzohen në takime politike, duke i nxjerrë në mësim ditëve të shtuna dhe duke i hequr nga mësimi gjatë ditëve të mitingjeve shkuam për të pyetur në Ministrinë e Arsimit. Pritëm më kot për një javë, një përgjigje nga zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata. Pas një pritjeje dhe komunikimi një javor me zëdhënësen e kësaj ministrie, arritëm që të komunikonim në telefon me zëvendësministrin e Arsimit. Pasi bën lojë fjalësh, kur Shamata merr vesh arsyen se përse e kërkojmë që ta intervistojmë, na përcjell përsëri te zëdhënësja dhe mbyll telefonin.

Deklaratat

Çfarë thonë deputetët e Kuvendit

Të pyetur për këtë shkelje të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve shkuam në Kuvendin e Shqipërisë, atje ku nis kjo shkelje. Deputetët e këtij Kuvendi ishin të ndarë në dy grupe. Në njërin krah qëndronte grupi që dënonte shfrytëzimin e fëmijëve në këto takime politike dhe në të dytin bënte pjesë grupi i atyre që bëjnë të paditurin, sikur nuk kanë parë gjë.

Nard Ndoka: Veprimi i zonjës Topalli është i papranueshëm dhe i dënueshëm

Fatmir Xhafa: Askush nuk duhet t‘i heqë nxënësit nga mësimi. Kushdo që e bën, shkel rregulloren, i keqpërdor fëmijët

Edi Paloka: Edhe sikur t‘i kenë çuar drejtuesit e shkollës në këto takime bëjnë gabim, por nuk i çon Topalli

Genc Ruli: E keni verifikuar? Nuk e kam verifikuar unë

Lufter Xhuveli: Nuk kam parë gjë. Nuk di gjë

Aleksandër Biberaj: Normalisht nuk është e lejueshme, është shkelje ligji. Çdo politikan kur organizon aktivitete politike duhet të zbatojë ligjin. Nëse bëhet fjalë për nxënës që plotësojnë moshën për të votuar kjo mund të bëhet jashtë orarit të mësimit

Marko Bello: Ky është abuzim, sepse ky na kujton referendumin e vitit 1994, kur Sali Berisha mbushte sheshet me të ardhur me autobusë

Neritan Ceka: Kjo gjë nuk lejohet, por ju duhet të identifikoni tamam ato gjëra që ngjajnë, kështu që vazhdoni kritikoni



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›