E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten shpenzimet e qeverisë, rrëzohet krenaria e Berishës

Qeveria shqiptare ka planifikuar të rrisë shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes deri në 36 miliardë lekë (360 milionë dollarë) për vitin 2009, rritje që besohet se do të mbulojë përdorimin e administratës publike për fushatë elektorale, bëhet e ditur nga statistikat e planit buxhetor afatmesëm. Vitin e kaluar, shpenzimet operative ishin 25.3 miliardë lekë, (253 milionë dollarë). Shpenzimet këtë vit do të rriten me 70 milionë dollarë ose 24 për qind, rritja më e lartë e shënuar ndonjëherë. Ministria e Financave nuk dha shpjegime mbi arsyet e rritjes. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes u rritën në 3.04 për qind, shifra më e lartë që nga viti 2004. Ulja e shpenzimeve operative, të cilat në publik njihen gjerësisht si shpenzime të të punësuarve në shtet për makina luksoze dhe celularë, ka qenë krenaria e qeverisë së sotme. Gjatë viteve të fundit ka pasur përpjekje serioze për uljen e këtyre shpenzimeve, por për vitin 2009, gjithçka ndryshoi.

Përse shërbejnë

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes përfshijnë një garë të gjerë tenderësh për blerjen e mjeteve ndihmëse të punës për administratën publike, përfshirë naftën apo riparimin e makinave, pajisjeve kancelarike, bojës së printerëve apo pajisjeve kompjuterike. Te ky fond klasifikohen edhe shpenzimet për të lyer institucionet publike, si dhe mirëmbajtjet e vogla. Bëhet fjalë për blerje me prokurim të drejtpërdrejtë apo për tender të "vegjël", të cilat janë të shumta e kryhen larg vëmendjes së publikut, por në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zënë vend si pjesa më problematike e shpenzimeve publike dhe që kanë një normë të lartë korrupsioni. Edhe në rang politik, ka pasur angazhim për të luftuar korrupsionin e vogël përmes disiplinimit të këtyre shpenzimeve. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes i kushtojnë taksapaguesve sa 60 për qind të fondit të pagave të administratës publike. Kur erdhi në pushtet, qeveria e sotme premtoi se do të ulë shpenzimet operative në raport me PBB-në përmes programit të "qeverisë në dietë". Gjatë viteve 2006-2008, shpenzimet operative u ulën me të vërtetë nga mbi 3 për qind të PBB-së në kohën e socialistëve në 2.6 për qind. Por papritur, këtë vit, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes u rritën sërish në mbi 3 për qind të PBB-së ose 360 milionë dollarë, duke u kthyer në nivelin e qeverive socialiste. Rritja me 24 për qind brenda një viti e këtij fondi ngre dyshime të tjera për shkak se është dy herë më e lartë se ajo e buxhetit.

Tenderët e vegjël lulëzojnë zakonisht në muajt para zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, por për herë të parë, qeveria qendrore ka planifikuar rritje drastike të shpenzimeve që do të mbulojnë tenderët e vegjël që në hartimin e buxhetit, vitin e kaluar. Mes shpenzimeve të shtuara, janë edhe planet për rinovim vilash qeveritare, të cilat do t‘i kushtojnë taksapaguesve miliona dollarë.

Menaxhimi i shpenzimeve operative të qeverisë konsiderohet si pjesa më e vështirë e buxhetit. Ky fond ka krijuar aktualisht një treg paralel "tollonash nafte" që në shumë raste shiten te palët e treta me skonto, ndërsa nafta e tyre përdoret rrallë ose fare për punë shteti.

Evidentimi

Kryeparlamentarja Topalli shmangu raportimin me shkeljet për rrugën Durrës-Kukës

Abuzimet në administratë, Kuvendi

"harron" edhe raportin e KLSH-së

Miliona dollarë dëme shkaktuar buxhetit të shtetit, qindra zyrtarë të sanksionuar dhe me dhjetëra të tjerë të kallëzuar në prokurori, të përmbledhura të gjitha në një raport të vetëm për vitin 2008, nuk u lejuan që të publikoheshin para ligjvënësve. Bëhet fjalë për Raportin Vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili gjatë punës së kryer në vitin 2008, evidentoi rreth 45 milionë dollarë vjedhje dhe abuzime ndaj buxhetit të shtetit. Raporti mbërriti në Kuvend që në muajin shkurt të këtij viti, por nuk u lejua të diskutohej nga deputetët, me pretekstin e axhendës së ngjeshur. Kuvendi i Shqipërisë, pasi shmangu raportimin në Parlament të Prokurorisë, Avokatit të Popullit dhe disa institucioneve të tjera të pavarura, veproi në të njëjtën mënyrë me KLSH-në. Kryetari i institucionit më të lartë kushtetues, Robert Çeku, duhet të kishte raportuar në Kuvend gjatë muajve shkurt-prill 2009, duke ndjekur radhën e axhendës, pasi ishte i pari që dorëzoi dokumentin, brenda të cilit evidentoheshin shkeljet dhe rastet e korrupsionit. I fundit institucion që dorëzoi punën e bërë në 2008-n ishte Banka e Shqipërisë, por ishte e para që raporti në Kuvend. Zyra pranë Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, sqaron se axhenda ka qenë tepër e ngjeshur për shkak të aktiviteteve të NATO-s, etj., kurse BSH u lejua të raportonte e para për shkak të situatës ekonomike në vend, e ndikuar nga kriza.

Të djathtët që erdhën në pushtet me moton për të luftuar korrupsionin nuk pranuan që të publikoheshin rastet dhe abuzimet me buxhetin e shtetit, duke ndaluar raportimin në Kuvend të institucionit të KLSH-së. Në raport paraqiteshin materiale të forta abuzimi, vjedhje, shkelje të ligjit, përvetësim të fondeve të buxhetit të shtetit, etj. Vet KLSH sqaron se materialet me aktivitetin e vitit 2008 janë dorëzuar për miratim që në fillim të muajit shkurt, por që nuk iu paraqitën kurrë deputetëve. Si pasojë, Kuvendi e ka shtyrë raportin e KLSH-së pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009.

Shkeljet

Brenda raportit të KLSH-së ishin paraqitur shkeljet me rrugën Durrës-Kukës, si dhe sugjerimet që kryetari Robert Çeku i jepte Kryeministrit Sali Berisha për të mos abuzuar me fondet. Të tjera shkelje evidentohen nga KLSH-ja për projektet e huaja, të cilat vidhen, dëmtohen dhe shtyhen si efekt i korrupsionit në administratën shtetërore. I gjithë dëmi i shkaktar në vitin 2008 llogaritet në rreth 45 milionë dollarë, ku më së shumti është evidentuar në tatime dhe dogana, deri në 20 milionë dollarë. Dëmi financiar është zbuluar nga 217 kontrollet e ushtruara nga KLSH-ja për periudhën e lartpërmendur. Shkeljet më të mëdha janë evidentuar në fushën e taksave dhe prokurimeve, në masën e rreth 28 milionë dollarëve. Abuzimet me fondet e krijuara nga taksapaguesit shqiptarë janë kryer nga ministri të ndryshme, bashki, komuna e drejtori, për të cilat KLSH, me firmën e Robert Çekut, ka kërkuar masën administrative për 900 zyrtarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›