Amnesty International: Jetimët shqiptarë, pa mbështetje
"Amnesty International" konsideron se një nga problemet më të mëdha ku qeveria shqiptare nuk ka bërë aq sa duhet, është kujdesi për jetimët, kryesisht për studentët. Në Shqipëri, fëmijët qëndrojnë në jetimore deri në moshën 14 vjeç dhe më pas largohen për në konviktet e shkollave dhe pas kësaj, shteti nuk kujdeset më, theksohet në raport. Organizata i bën thirrje qeverisë shqiptare të përmirësojë situatën e jetimëve. "Amnesty International" përmes një raporti të këtyre ditëve i bën thirrje qeverisë shqiptare të përmirësojë situatën e jetimëve. Thirrja bëhet në prag të ditës së jetimëve, më 20 maj. "Amnesty International" konsideron se një nga problemet më të mëdha ku qeveria shqiptare nuk ka bërë aq sa duhet, është kujdesi për studentët jetimë. Sipas ligjit shqiptar, pasi mbarojnë shkollën e mesme, studentët jetimë duhet të strehohen dhe t‘u sigurohet punësim. "Amnesty International" kërkon që qeveria shqiptare t‘i zbatojë këto detyrime. "Amnesty International" kujton konventat që ka firmosur dhe ratifikuar Shqipëria për të drejtat e fëmijëve dhe kërkon që Shqipëria të vazhdojë të japë mbrojtje dhe asistencë për këtë kategori, jo vetëm materiale, por edhe mbështetje psikologjike dhe sociale, të paktën sa të mbushin 18 vjeç. Por nëse është e nevojshme, qeveria duhet ta vazhdojë ndihmën për jetimët edhe pasi kanë mbushur moshën 18 vjeç, veçanërisht në drejtim të punësimit të tyre, thekson më tej vëzhgimi i kryer nga kjo organizatë ndërkombëtare.