BSH: Bllokohet shitja e banesave, rriten çmimet e qirave
Qytetarët në Tiranë preferojnë më shumë të jetojnë në banesa me qira, sesa të marrin kredi për blerje banese. Kjo rezulton edhe nga raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit, indeksi i qirasë është rritur për tremujorin e tretë të vitit.
Çmimi i lartë i shitblerjes të banesave e ka orientuar tregun drejt qiramarrjes, duke
rritur në këtë mënyrë kërkesën për tremujorin e tretë të vitit për banesa me qira. Por në të njëjtën kohë, me rritjen e kërkesës janë rritur gjithashtu edhe çmimet e banesave me qira. Banka e Shqipërisë, në raportin e saj për politikën monetare për këtë periudhë ka vlerësuar se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011, indeksi i qirasë për Tiranën shënoi një rritje të lehtë me rreth 1.1% në terma nominalë vjetorë. Megjithëse kjo rrije, edhe pse e ulët, sipas Bankës së Shqipërisë, vjen pas një rënieje të vazhdueshme prej dy tremujorësh në këtë indeks. Në terma vjetorë realë, citon raporti i BSH-së, indeksi shënoi rënie me rreth 2.1%. Por, krahasuar me tremujorin e kaluar, indeksi i qirasë shënoi rritje me rreth 0.8% në terma nominalë dhe rritje me rreth 2.3% në terma realë. Ndërkaq, referon vlerësimi i Bankës së Shqipërisë, raporti i indeksit të çmimeve të banesave me atë të qirasë shënoi vlerën 2.3, rreth 4.8% më i lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe rreth 9.1% më i lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Sipas BSH-së, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011, ky raport vijoi të qëndrojë mbi trendin e tij historik. Përveç stanjacionit në tregun e shitblerjes ku çmimet nuk kanë njohur rritje, në rritjen e kërkesës për qira ka ndikuar gjithashtu prurja e studentëve për provimet e vjeshtës gjatë muajit shtator dhe nisja e vitit akademik. Agjencitë imobiliare kanë raportuar se tregu i qirasë po i mban gjallë dhe me fillimin e vitit akademik kërkesa për banesa me qira, apartamente apo shtëpi private është 2-fishuar. Sipas agjentëve imobiliarë, kërkesa në rritje e tregut të qirasë shpjegohet me fluksin e studentëve dhe mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme në konvikte, kategori, e cila renditet e para në listë për rritjen e kërkesave për banesa me qira. Por sipas tyre, një tjetër arsye ka qenë mungesa e hipotekave të apartamenteve të reja deri në momentin e hyrjes së ligjit në fuqi për hipotekimin e pallateve, rënia e remitancave, kriza ekonomike, janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në ngrirjen e tregut të shitblerjes së apartamenteve, e si rrjedhojë kërkesat për të pasur një banesë për të jetuar plotësohen me qira, që gjithsesi, sipas personave që kanë kërkuar një banesë, llogaritë iu rezultojnë më të leverdishme sesa të blejnë një apartament me kredi dhe të rrezikojnë të paguajnë këstet e larta të saj sipas luhatjes së këmbimit valutor në tregun e brendshëm. Edhe Raporti i politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit 2011 i Bankës së Shqipërisë tregon për një rritje të çmimit të apartamenteve me 10.3 %. Banka e Shqipërisë argumenton se zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e tretë të vitit 2011, janë ndikuar nga një kontraktim i ofertës në zonat urbane. Në vitet e fundit, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ka qenë i ulët. megjithatë, të dhënat më të fundit për tremujorin e dytë të vitit 2011 tregojnë se numri i lejeve të ndërtimit për banesa ka vijuar të rritet. Përmirësimi i këtij treguesi për tre tremujorë rresht sinjalizon për rritje të ofertës së ardhshme të banesave. Nga ana tjetër, rezultatet më të fundit të vrojtimit të aktivitetit kreditues tregojnë se standardet e kredisë dhënë individëve për blerje banese, pasi ndoqën një prirje lehtësuese në gjashtëmujorin e parë të vitit, u shtrënguan gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011.
Tabela e çmimeve të apartamenteve me qira sipas agjencive imobiliare
Pallatet ‘Agimi’ – 1+1 300 euro, e mobiluar
- 2+1 350-400 euro, e mobiluar
- 1+1 30 000 lekë bosh
- 3+1 700-1200 euro e mobiluar
Zona e “ish-Bllokut”- 1+1- 350-500 euro e kompletuar
- 2+1- 500-800 euro e kompletuar
Komuna e Parisit - 1+1- 20 000- 30 000 lekë
2+1 25 000 – 40 000 lekë
Unaza e Re 1+1 15 000- 25 000 lekë
2+1 20 000 – 30 000 lekë
Qyteti Studenti Garsonierë – 15 000 – 18 000 lekë
1+1 20 000 – 25 000 lekë