Buxhuku: Konsensus politik për Gjykatën Administrative
Në cilësinë e iniciuesit të idesë për krijimin e Gjykatës Administrative, administratori i Përgjithshëm i “Alb Konfindustria”-s, Gjergj Buxhuku, ka deklaruar dje se pavarësisht vlerësimit të nismës së qeverisë për ndërtimin e Dhomës Administrative pranë Gjykatës së Tiranës, e konsideron atë si një nismë të pamjaftueshme. Buxhuku konsideron si të domosdoshme arritjen e mirëkuptimit politik ndërmjet shumicës dhe pakicës në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim miratimin e projektligjit përkatës. Sipas Buxhukut, fryma e fundit pozitive e bashkëpunimit ndërmjet forcave politike duhet shfrytëzuar për arritjen e miratimit me çdo kusht dhe sa më shpejt të ligjit të gjykatave administrative, përfshirë edhe disa përmirësime të nevojshme profesionale për rritjen e cilësisë së përmbajtjes së draftit të sotëm të projektligjit. “Çdo veprim ndryshe dhe i njëanshëm nuk do të kishte asnjë ndikim me vlera praktike në përmirësimin e gjendjes së sotme, krejtësisht të papranueshme në përballjen biznes/qytetarë-institucione shtetërore”, - u shpreh ai. Buxhuku argumentoi se një nismë e tillë për Dhomën Administrative nuk e zgjidh problematikën tejet të rënduar të përballjes së biznesit dhe qytetarëve me institucionet shtetërore dhe, në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë ligjin e gjykatave administrative, që është në pritje të procesit të miratimit në Kuvendin e Shqipërisë. “Konfindustria vlerëson se, Dhomat Administrative pranë gjykatave të shkallës së parë, në mungesë të ligjit përkatës të zgjidhjes së çështjeve administrative, e kanë të pamundur arritjen e qëllimit të krijimit të tyre. Përfundimi i mësipërm vjen si pasojë e domosdoshmërisë së ndryshimit të procedurave të gjykimit administrativ, shpejtësisë së gjykimit administrativ, fushës së përgjegjësive të gjykatave administrative, shpërndarjes gjeografike të gjykatave administrative, marrëdhëniet ndërmjet niveleve të ndryshme të gjykimit administrativ etj. Në rast se nuk përmirësohen në mënyrë rrënjësore çështjet e mësipërme, sipas përcaktimeve në projektligjin e ri, të ndodhur në proces miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk mund të shpresohet asnjë ndryshim pozitiv në përballjen e biznesit dhe qytetarëve shqiptare me institucionet shtetërore”, - tha Buxhuku.