Gomari i TrojësNga Artan MullajBashkimit Meta-Berisha i mungoi së paku fisnikëria artistike e tradhtive diplomatike që përfaqëson “Kali i Trojës” në perceptimin njerëzor. Ky bashkim i papritur i së majtës me të djathtën iu përcoll opinionit publik, j
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gomari i TrojësNga Artan MullajBashkimit Meta-Berisha i mungoi së paku fisnikëria artistike e tradhtive diplomatike që përfaqëson “Kali i Trojës” në perceptimin njerëzor. Ky bashkim i papritur i së majtës me të djathtën iu përcoll opinionit publik, jo vetëm si një tradhti e madhe për një popull të vogël, por edhe si një pabesi e shëmtuar dhe e rëndomtë. Me sa duket, historinë nuk e bëjnë as masat dhe as liderët, por instinktet e tyre të pamposhtura në gjueti të pushtetit me të gjitha mënyrat.
Vendimi i Ilir Metës për të qeverisur bashkë me Sali Berishën më shumë se një lajm i rrallë mund të supozohet si një vendim historik mes shpresës për t’i dhënë fund tranzicionit, sepse eklipsoi barbarisht pikërisht këtë shpresë, dhe vërtetoi se në politikën tonë ka ende personazhe kaq potencialë që në emër të idealit të tradhtojnë pikërisht idealin dhe të sfidojnë gjithçka, duke kaluar edhe ylberin e fundit të përfytyrimeve publike. Dhe njëlloj vërtetoi gjithashtu hipokrizinë e kobshme të këtyre liderëve, të cilët e kanë sa një mal talentin për të shkëmbyer moralin e tyre me pushtet dhe lavdi të pamerituar.
Sot shumëkush mund të mendojë se Hamzai i fortë i së majtës e vuri Shqipërinë mbi LSI për të mirën e atyre njerëzve që vidheshin e poshtëroheshin përditë që nga koha e kalërimit të tij kryeministror dhe zhvaten e mashtrohen ende përditë e përnatë nga klanet klanore të politikës. Kjo super-sakrificë e LSI-stëve e motivon koalicionin e ri qeverisës, që do të ndihmojë të ndriçojë kufijtë e pabesueshëm të përbuzjes ndaj tij, por nuk e justifikon babëzinë e fshehur me naivitet për pushtet të pushtetshëm. Dhe pikërisht te kjo babëzi fillon momenti historik që e bën këtë histori të bëjë histori. Ilir Meta sot ka një luftë të heshtur me ndërgjegjen e vet, sepse historia nuk ka qenë kaq bujare me të, as në kohën kur menjëherë pas adoleshencës u bë kryeministër i vendit. Sot historia i ka hapur dyert për të! Dhe kjo luftë nuk është thjesht çështje morali, as vrasje ndërgjegjeje, por është dyshim i thellë dhe i makthtë në vetëdije nga mosqenia e tij gati për këtë hyrje të virgjër e spektakolare në histori, me tradhtinë spektakolare që sapo i ka bërë komunitetit socialist në tërësi.
Si çdo ngjarje që sfidon gjithë të tjerat në garën për t’u shkruar në faqen e historisë së një kombi, tradhtia e Ilir Metës trazoi shpirtrat e të thjeshtëve në këtë vend. Si një kometë mes perceptimit, ai i la pak vend befasisë dhe shumë vend zhgënjimit. Kur tradhtitë janë kaq të mëdha sa të sjellin zhgënjim kolektiv, dhimbja është e përhershme dhe gjaku do rrjedhë pa u tharë. Proverba se çuditë më të mëdha zgjasin pak ditë dhe shpresa se gjithçka do të harrohet mes halleve dhe mjerimit njerëzor, (që do të udhëheqë në vazhdim ky koalicion tradhtie), nuk do të mund të ndryshojnë kurrën e kurrës faktin se Ilir Meta hyri në histori ndryshe nga ç’kishte ëndërruar, jo si një luftëtar, por si një Judë.
Gabim i madh për një politikan të vogël, kjo tradhti natyrisht që nuk është vetëm e tillë, por një faj ordiner i një fantazie të vrarë nga demonët.
Shefi i LSI sot është në arenë dhe dritat publike i janë drejtuar atij. Ai sot ka sfiduar pa mëshirë Xhuvelin dhe fantazinë e mërzitshme të xhuvelërisë, duke sjellë pëshpërima habie në planet. Energjia e papritshmërisë është ajo që e ka shtyrë atë si në një plazmim drejt bërjes së një epoke që nuk është drejtësia, por babëzia. Viktimë e emocioneve të vrazhda, Ilir Metës s’i mbetet veç të mbushet me frymë dhe të lumturohet për lehtësinë që shpirti i tij ndoshta do të zotërojë patjetër në rrjedhën e pashlyeshme të kohës dhe në përballjen e vështirë me mëkatet. Nëse tradhtia nuk është mëkat, çfarë mund të jetë?
Ndërkohë hipokrizia nuk është e tillë. Hipokrizia nuk është një ndjesi, por është mjeti për të përballuar gjykimin publik.
Shitja lirë e një personaliteti të fortë deri dje, në një klimë respekti të munguar për veten, në këmbim të pushtetit të ri dhe lavdisë së re, vërteton se hipokrizia e përdorur në këtë rast për të fshehur pazaret e vërteta dhe pabesitë në kurriz të së majtës në përgjithësi, është shpjegimi më i mirë që mund t’i bëhet aforizmës së vjetër se qëllimi, edhe i mbrapshtë përjetësisht po të jetë, do të justifikojë mjetin, përjetësisht gjithashtu.