E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rakipi: “Padia e Ylli Pangos është bërë për kredite politike”

Ministri kalon në Gjykatën e Apelit betejën me gazetën “Albania”. Ylli Rakipi: “Ky gjyq tregon në thelb dhe demagogjinë e pafund të qeverisë dhe të kryeministrit”

Pesë vjet pas shpërthimit të eksplozivit që tronditi themelet e shtëpisë së tij, Ylli Pango e ka çuar një hap më tej betejën gjyqësore me gazetën “Albania” tashmë nga pozitat e një ministri të shtetit. Zoti Pango vendosi të “luftojë” vetëm me këtë gazetë edhe pesë vite më parë, ndonëse shpërthimi që tronditi themelet e strehës së tij u pasqyrua gjerësisht nga të gjitha mediat shqiptare. “Është një gjyq që bëhet për kredite politike. Qëllimet janë të qarta. Megjithatë, ky gjyq tregon në thelb dhe demagogjinë e pafund të qeverisë dhe të kryeministrit, të cilët deklarojnë gjithë ditën se nuk do t’i padisin mediat dhe gazetarët. Në fakt, ne nuk kemi kërkuar të mos na padisin dhe duam të kemi gjyqe, pasi punojmë profesionalisht dhe bazuar në fakte, kështu që nuk kemi arsye të tërhiqemi apo të kërkojmë mëshirë nga askush”. Kështu ka deklaruar dje Ylli Rakipi, drejtor i “Albania”-s, fill pas përfundimit të seancës së parë në Gjykatën e Apelit, seancë që ishte krejt formale dhe zgjati pak minuta, pasi asnjëra nga palët nuk ishte njohur në themel me përmbajtjen e padisë për shkak të kohës “rrufe” në të cilën ishte dërguar (vetëm 48 orë më parë).
Pango
Pas shpërthimit pranë shtëpisë së zotit Pango, krahas pretendimeve dhe denoncimeve të tij, asokohe gazeta pasqyroi dhe reagime apo deklarata nga palë të treta, ku disa prej tyre e konsideruan si një “autoatentat të stisur” nga ana e zotit Pango. Megjithatë, ndonëse këto deklarata kishin autorë të përveçëm, zoti Pango shpalli betejë me gazetën, edhe pse “Albania” vetëm sa pasqyroi deklarata të dhëna nga subjekte dhe palë të ndryshme pas ngjarjes. Sot, në pozitat e një ministri, Pango ka rindezur betejën gjyqësore, duke u investuar seriozisht dhe politikisht në këtë betejë, e cila, siç janë gjasat, ka për t’i dhënë shumë më shumë kuota politike zotit Pango, sesa mund t’i sjellë puna e tij si ministër Kulture i një qeverie që sot mban era barut dhe që armikun më të madh ka median, e cila ka nxjerrë në dritën e diellit fakte dhe dokumente që lidhin ministrat, kryeministrin dhe familjarët e tyre me punishte të vdekjes, si ajo e Gërdecit, apo dhe me biznesmenë të piketuar nga agjenci të huaja shtetërore për “rekorde” në lëmin e kriminalitetit ndërkombëtar.
Standardi
“Ne kemi arritur që në këto tre vjet të mos shkaktojmë apo të mos padisim asnjë media. Nuk e kemi bërë këtë gjë për tre vjet rresht, edhe kur titujt e gazetave janë hapur me të madhe me shpifje nga më monstruozet”, - ka deklaruar vetëm një javë më parë kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili është “përgënjeshtruar” jo më larg sesa dje nga ministri i tij i Kulturës, i cili paditi posaçërisht për të dytën herë një media. Por ndonëse një demagogji në thelb, deklarata dhe zotimi politik i kryeministrit për të mos paditur asnjë media ka qenë një ofertë e pakërkuar nga ana e medias. Vetë koha e tregoi se ky vetëzotim i kryeministrit i shërbeu më së miri atij në rastin “Gërdeci”, apo në rastin “Fazlliç” (ku “Albania” ka qenë protagoniste e pasqyrimit të skandalit), ku gjithë puna kërkimore e mediave u “shua” me qetësinë më të madhe nga kreu i qeverisë, i cili i quajti të gjitha shpifje të ulëta (që, sipas tij, bëhen sepse ai është zemërgjerë dhe nuk na padit), madje duke i sfiduar të gjithë kur deklaroi se mund ta sillte në Parlament zotin Fazlliç. Por duket se Damiri dhe gjithë “Fazlliçët” që sillen rrotull qeverisë, Gërdecit apo familjarëve të oborrit, më parë duhet të shkojnë në prokurori, sepse standardi i mediave nuk rezultoi farsë. por logjik dhe ligjor.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›