E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet, Prokuroria sekuestron 50 dosje të AKKP-së

Mbrëmjen e së martës prokurorët kanë marrë në dorëzim dokumentacionin. Në filtër do të kalojnë të gjitha të dhënat, dyshohet për tjetërsim dhe manipulime

Habjon Hasani

Abuzimet dhe shkeljet ligjore me trojet në Shqipëri kanë vënë në punë “me kohë të plotë” Prokurorinë shqiptare, ndërsa një grup pune i Prokurorisë së Tiranës ka sekuestruar mbrëmjen e së martës 50 dosje të vendimeve të dhëna nga AKKP-ja. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë institucionit të AKKP-së, ku punonjës të këtij institucioni ka dëshmuar atë që ndodhi mbrëmjen e së martës. “Prokurorë të shtetit kanë ardhur dhe kanë marrë në rrugë ligjore të dhënat për 50 dosje të vendimeve të AKKP-së. Bëhet fjalë për disa dosje dhe vendime që janë marrë nga selia qendrore e AKKP-së në Tiranë dhe që lidhen me troje që shtrihen në disa zona të vendit”, - i tha dje burimi “Albania”-s. Por ky nuk është “interesimi” i vetëm i Prokurorisë pranë këtij institucioni, pasi gjatë dy muajve të fundit vizitat e prokurorëve kanë qenë të shpeshta në godinën e AKKP-së.
Bregdeti
Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave është kthyer në “dele e zezë” të disa dosjeve hetimore që kanë mbërritur në Prokurori muajin e fundit. Janë mbi njëzet dosje të tilla, ndërsa objekti i tyre lidhet me abuzimet e mëdha që janë bërë në trojet bregdetare, kryesisht në vijën e Shqipërisë së Mesme. Spilleja dhe Gjiri i Lalzit janë më kryesoret, por nuk mungojnë dhe disa dosje që lidhen me abuzimet pranë bregdetit të Velipojës. Bëhet fjalë për qindra hektarë. “Albania” është informuar pranë organit të akuzës se ka elemente të veprës penale në praktikat e sekuestruara, ndërsa ka qenë gjithnjë institucioni qendror i AKKP-së ai që ka vënë “vulën e fundit” mbi abuzimet dhe gllabërimet antiligjore të trojeve. Gjithsesi, fluksi i lartë i çështjeve në shqyrtim mund të sjellë dhe grupin e disa dosjeve, pasi të njëjtët persona rezultojnë të implikuar në procesin e abuzimit në disa vende dhe zona të ndryshme pranë bregdetit. Duket sikur bëhet fjalë për grupe të fuqishme interesi, që po abuzojnë dhe po kalojnë në pronësi qindra hektarë tokë bregdetare.
Hetimi
Përpos 50 dosjeve të sekuestruara dy ditë më parë prokurorët kanë nisur hetimin e disa rasteve me abuzime me tokat në bregdet. Të pyetur nga “Albania” pak kohë më parë për këto shkelje, burime nga organi i akuzës janë shprehur se “të gjitha rastet janë në proces analize, ndërsa marrja në pyetje e personave të implikuar jo vetëm ka faktuar procesin e falsifikimit, por ka vërtetuar se përfituesit nga këto shkelje kanë operuar me firmën dhe vulën e të tjerëve. Pikërisht këtu po konsiston dhe puna jonë e tanishme, pasi jemi seriozisht të interesuar që të faktojmë lidhjen e këtyre grupeve të biznesit që kanë sponsorizuar gjithë procesin e paligjshëm me zhvillimet dhe dosjen konkrete”. Sipas të njëjtave burime mësohet se vetëm në dy muajt e fundit ka pasur një përqendrimin të madh të Prokurorisë në dosjet e abuzimit me pronat, si pasojë e shtimit të madh të rasteve të denoncimit, ndërsa në shumë raste procesi i abuzimit ka qenë në dritën e diellit dhe lehtësisht i verifikueshëm.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›