Konferenca e Kryetarëve: “Deputetët grevistë, jashtë sallës së seancave”
Eljona Ballhysa
Tri ditë pas fillimit të grevës së urisë së 11 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë është mbledhur dje Konferenca e Kryetarëve. Në përfundim ky organ vendimmarrës i Kuvendit të Shqipërisë ka dalë me një deklaratë, nëpërmjet së cilës u bën thirrje deputetëve grevistë që të dalin jashtë sallës së seancave dhe të gjejnë një ambient më të përshtatshëm për të vazhduar grevën. Në këtë deklaratë Konferenca e Kryetarëve nënkupton se nuk do të ketë ndryshim të Kodit Zgjedhor të miratuar në bashkëpunim mes dy partive të mëdha në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Konferenca e Kryetareve e ka cilësuar miratimin e Kodit në Komision me shumicën më të mundshme të votave. Ky reagim i Konferencës së Kryetarëve ka ardhur vetëm një ditë para zhvillimit të seancës parlamentare së radhës, e cila pritet të mbahet gjatë ditës së sotme. Po kështu, Konferenca e Kryetarëve mandatoi Tritan Shehun dhe Engjëll Bejtjan që të negociojnë me deputetët grevistë. Mësohet se para zhvillimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, për të cilin nuk janë dhënë detaje të qëndrimit të ndërkombëtarëve për këtë çështje.
Deklarata
“Konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike. Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme. Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të Konferencës së Kryetarëve. Më tej kryetarët e grupeve parlamentare kanë vërejtur se në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjitha hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm. “Por procesi nuk mund të pengohet nga askush. Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur i sensibilizimit publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e Parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, - shkruhet në deklaratën për shtyp.
Seanca
Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet seanca e radhës parlamentare, ndërkohë që ende nuk dihet sesi do të veprohet për shkak se salla e Kuvendit është e bllokuar nga deputetët grevistë. Pritet që ketë zhvillime të reja gjatë ditës së sotme. Ndërkohë që palët kanë treguar se do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtat qëndrime për Kodin Zgjedhor. Dy partitë e mëdha janë të vendosur që të mos tërhiqen nga propozimet e tyre të miratuara në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, ndërsa dy partitë protestuese, LSI-ja dhe PDK-ja, janë të vendosura të vazhdojnë grevën e urisë deri në arritjen e një marrëveshje për ndryshimin e Kodit Elektoral.
Ambasadori i Britanisë: “Nuk duhet të pengohen reformat”
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Frazer Uillson, është shprehur dje se reformat nuk duhet të pengohen në Shqipëri. Megjithëse është përpjekur të mos mbajë një qëndrim konkret për grevën e 11 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadori Uillson ka sugjeruar gjetjen sa më parë të një zgjidhjeje për situatën e krijuar. “Shqipëria është në një demokraci të maturuar, që duhet të ketë përparësi përmbushjen e reformave. Unë nuk dua të bëj asnjë koment rreth kësaj nisme, por dua të them se Shqipëria është një demokraci e maturuar. Kur them këtë kam parasysh se është e nevojshme çuarja përpara e reformave që janë në dobi të zhvillimit dhe jo të pengimi i tyre. Shqipëria po zhvillohet tashmë dhe nuk është në dorë të komunitetit ndërkombëtar t’i thotë asaj se çka duhet të bëjë”,- është shprehur Uillson.
13 Nentor 2008