Mustafaj në mbështetje të grevistëve: “PD-ja ka vuajtur nga manipulimi i votës”
Deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, ka dalë në krah të deputetëve që janë hedhur në grevë për çështjen e reformës zgjedhore, duke deklaruar se mungesa e besimit dëmton procesin zgjedhor. Sipas Mustafajt, Partia Demokratike e ka vuajtur vetë në kurriz manipulimin e votës nëpërmjet numërimit dhe si e tillë ajo duhet të reflektojë në këtë drejtim për të garantuar besim si për votuesit ashtu edhe për forcat pjesëmarrëse në procesin zgjedhor. “Ligji që po afrohet, gjithë reforma e Kodit Elektoral duhet të synojë krijimin e mirëbesimit tek ligji. Me këtë dua të them se ne të PD-së kemi vuajtur shumë herë nga manipulimi i votave nëpërmjet numërimit të tyre. Pra unë besoj se përfaqësuesit e PD-së në Komisionin për hartimin e Kodit të ri Elektoral do të kenë ndjeshmërinë e mjaftueshme për të siguruar gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje. Po ashtu, PS-ja është një parti që në biografinë e saj ka shumë njolla të manipulimit të zgjedhjeve gjatë 8 viteve që ishte në pushtet, dhe është e rastit tani që nëpërmjet kontributit për këtë ligj t’ia heqë vetes këto njolla”, - është shprehur ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Ai gjithashtu u bëri thirrje dy bashkëkryetarëve të Komisionit Zgjedhor që të jenë të kujdesshëm në hartimin e draftit përfundimtar të reformës, pasi në rast se ajo nuk rrezaton besim, atëherë do të ketë destabilitet politik.
13 Nentor 2008