Ish-ushtarakët, zbardhet drafti i ri i llogaritjes së pensioneve
Jonida Tashi
Zbardhet drafti i ri, i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Financave për trajtimin me pension të ish-ushtarakëve. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se tashmë ky draft është depozituar në qeveri për miratim. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë draftin me pikat që janë propozuar për të ndryshuar masën e pensionit për këtë kategori në varësi të vjetërsisë së shërbimit. Ndryshimet që janë propozuar tashmë i kanë kaluar fazat e shqyrtimit nga dy ministritë, ajo e Mbrojtjes dhe e Financës. Specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes i kanë bërë llogaritë duke u bazuar në gradat që kanë ushtarakët. Ndërsa specialistët e Ministrisë së Financave kanë rënë dakord për masën që do të zënë në buxhetin e shtetit këto përllogaritje.
Drafti
Llogaritja e pensioneve për ushtarakët e liruar në rezervë do të bazohet në vjetërsinë në punë dhe derdhjen e kontributeve shoqërore. Kjo është një nga pikat e përcaktuara në draftin e ri për përllogaritjen e pensioneve të ish-ushtarakëve. Ndërsa masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara, është 50 për qind e pagës referuese dhe nuk mund të jetë më e lartë se kjo shumë. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës më sipër në kohën që lind e drejta për përfitimin, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë. Gjithashtu, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, shtuar me 2 për qind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Në rastin kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë.
Skema
Por, pavarësisht se grupet e punës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Financave kanë përfunduar hartimin e draftit të ri në lidhje me skemën konkrete mbi të cilën do të bëhet llogaritja e pensioneve për ish-ushtarakët, pritet që diskutimet për këtë çështje të vijojnë ende nga ekspertët e qeverisë. Miratimi i këtij drafti do të shoqërohet me miratimin e një pakete të përbashkët, në të cilën do të përfshihen jo vetëm pensionet e ushtarakëve të liruar në rezervë, por dhe ato të Policisë së Shtetit dhe punonjësve të Gardës. Hartimi i kësaj pakete po diskutohet ende në Këshillin e Ministrave dhe pritet që të bëhet publik brenda një kohe të shkurtër. Brenda këtij afati do të publikohet dhe paketa integrale e pensioneve për të gjitha kategoritë e ushtarakëve. Grupet hartuese të këtij drafti kanë përcaktuar që llogaritja e pensioneve për ushtarakët do të bazohet në skemën e derdhjes së kontributeve dhe kohës së daljes nga detyra. Përparësi në këtë rast do të kenë ato kategori që kanë kontribuar në skemën e sigurimeve për një kohë të gjatë dhe dalja e tyre nga detyra është bërë pas vitit 2004. Këta të fundit do të përfitojnë dhe masën më të lartë të pensionit krahasuar me grupet e tjera.
Pesë propozimet e paraqitura në draftin e ri
Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara, është 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare.
Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës më sipër në kohën që lind e drejta për përfitimin:
Nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë.
Nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", shtuar me 2 për ind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal.
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv.
Në rastin kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë.
Çfarë parashikon ligji aktual
“Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët rrogëtarë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës mujore, deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm, ushtarakut i jepet një shtesë 2 për qind e pagës mujore”. Këtë e rikonfirmon edhe neni 13 i Ligjit 9418, datë 20.05.2005, kur thotë: “Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH” përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarakë, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt”.
Kundërshtitë nga ekspertët
Sipas Kadri Mukës, ISSH-ja, me mënyrën siç e aplikon skemën, duke u dhënë të gjithëve të njëjtën masë pensioni, aq sa është pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi, 16480 lekë, ka barazuar të pabarabartat dhe ka mohuar vlerën e gradës, vlerën e vjetërsinë e shërbimit dhe vlerën e masës së pagës referuese të secilit. Sipas tij, nëpërmjet këtij akti, ky institucion merr atributin e ligjvënësit, cakton skemë të re përfitimi që mohon skemën e caktuar në ligj. Konkretisht, femra që ka 13 vjet dhe mashkulli 16 vjet në ushtri përfiton një pension prej 52 përqindësh të pagës referuese; kush ka 14 vjet e 17 vjet përfiton 54 për qind e kështu me radhë. Në të kundërt i bie që një mashkull i gradës “Kapiten” me 15 vjet merr 50 për qind të pagës së vetë referuese; ai i gradës “Major” me 25 vjet vjetërsi merr vetëm 41 për qind; ai i gradës “Nënkolonel” për 28 vjet vjetërsi merr 27 për qind të pagës referuese dhe ai i gradës “Kolonel” merr 20 për qind të pagës referuese.
Neni 47 i Statusit të ushtarakut
“Institucionet qendrore vendore dhe komandat e njësive ushtarake, brenda kompetencave dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore, sigurojnë zbatimin e statusit të ushtarakut. Për mosplotësimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, personat përgjegjës mbajnë, sipas rastit, përgjegjësi disiplinore, civile dhe penale, të cilat përcaktohen me dispozita ligjore”.
Neni 35 i Statusit të ushtarakut
“Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët rrogëtarë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës mujore, deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm, ushtarakut i jepet një shtesë 2 për qind të pagës mujore”.
13 Nentor 2008