E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu imobiliar në krizë, bie interesi për të blerë apartamente në kryeqytet



Ervin Koçi

Edhe pse realisht nuk pritej të ndodhte kaq shpejt, kriza në sektorin imobiliar duket se ka trokitur. Kjo të paktën sipas të dhënave zyrtare që vijnë prej Bankës së Shqipërisë dhe agjencive imobiliare në kryeqytet, të cilat nuk janë të kënaqura me statistikat e muajve të fundit në sektorin imobiliar. Nga një vëzhgim i bërë në disa prej agjencive imobiliare më kryesore të kryeqytetit, rezultoi se nga statistikat që ato paraqitën për gazetën “Albania” tregonin se kishin një ulje të ndjeshme edhe të kërkesës së emigrantëve për të blerë shtëpi. Sipas disa prej përfaqësuesve imobiliarë, “këtë verë, ndryshe nga sa pritej, nuk u arrit ai nivel i duhur i shitjeve të apartamenteve dhe pronave të tjera të paluajtshme, të cilat çdo vit janë blerë me intensitet nga emigrantët që ktheheshin me pushime”. Forca blerëse e emigrantëve, - sipas specialistëve imobiliarë, - ka qenë mbizotëruese në vitet e kaluara, por jo këtë herë. Këto shifra të ulëta gjatë këtij viti i konfirmon edhe Banka Qendrore e Shqipërisë në studimin e saj më të fundit për këtë treg.

Studimi i BSH-së

Tregu vendas imobiliar, ose ndryshe sektori i shitjeve të ndërtimit, ka një ulje të konsiderueshme të shitjeve të pasurive të paluajtshme, kryesisht të apartamenteve. Nga një studim për 6-mujorin e parë të vitit 2008 të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka arritur në disa konkluzione edhe për fushën e pasurive të paluajtshme. Gjatë këtij viti (2008) është rritur ndjeshëm numri i lejeve për ndërtime të reja në krahasim me një vit më parë, por ka një ulje të kërkesës për kredi në krahasim me 6-mujorin e dytë të vitit 2007. “Kjo do të ndikojë që shumë prej apartamenteve nga gjendja aktuale e tregut të jenë ende të pashitura edhe pse mund të jenë përfunduar”, - thuhet në këtë studim. Sipas specialistëve të BSH-së, arsyet janë të shumta. Tërmeti i krizës ekonomike në botë mesa duket gjatë këtij fundviti po jep efekt edhe në Shqipëri. Prurjet e parave nga emigrantët janë ulur në një masë të konsiderueshme gjatë këtyre muajve të fundit, ndërsa shtrëngimi i kushteve për kreditë është një faktor kyç, që ka ndikuar mbi shtetasin shqiptar. Në krahasim me tre vitet e mëparshme rezulton se gjatë vitit 2008 kemi një ulje të ndjeshme të kërkesës për apartamente.

Arsyet e stepjes

Faktorët pengues sipas raportit të BSH-së kanë qenë disa, por më kryesorët ishin gjendja financiare e individëve dhe mungesa e prurjeve të mjaftueshme të parave nga emigrantët. Një tjetër faktor që ndikon ndjeshëm edhe te prirja e konsumatorit për të blerë një apartament është kredia. Një sërë individësh përdorin kredinë bankare për të blerë shtëpi. Por këtë vit kemi një shtrëngim të dhënies së kredisë në krahasim me vitet e kaluara si për individët e thjeshtë, ashtu edhe për bizneset. BSH-ja numëron një sërë faktorësh që kanë çuar në këtë situatë ku më kryesori ka qenë fenomeni i kredive me probleme që shfaqi një pjesë e shoqërisë, që vonojnë me muaj të tërë shlyerjen e kredisë.
Kredia për individët, sipas BSH-së, ka një tendencë rënëse gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti duke arritur në 44.3 për qind nga 57.5 për qind që ishte në fund të vitit 2007. Kjo i atribuohet ngadalësimit të kredisë për konsum. Kështu që vështirësia për të marrë një kredi do të ndikojë ndjeshëm në tregun vendas, pasi, sipas raportit të BSH-së, “sektori i ndërtimit dhe industria thithin 77 për qind të kredisë, shumë kjo të cilën e përdorin për të mbuluar nevojat e tyre për likuiditet dhe financimin e investimeve në pasuri të paluajtshme”. Ndërsa rritjen e çmimeve në ndërtim BSH-ja e justifikon me faktin e rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit. Situata e pritshme makroekonomike, e parashikuar nga BSH-ja, është një faktor pengues mjaft i rëndësishëm. Gjithashtu edhe problemet specifike ku vepron biznesi, si edhe vendimet e Bankës Qendrore për Bankat e Nivelit të Dytë, janë ndikues në shtrëngimin e dhënies së kredive.

Tendencat e tregut: blerja e shtëpive për banim, jo për biznes

Të paktë janë ata që blejnë apartamente sot për të kryer biznes me to duke i konsideruar si një investim. Në ndryshim nga vendet e tjera, në Shqipëri dominojnë klientët që kërkojnë shtëpi të parë dhe për banim. Ndërtuesit dhe specialistët imobiliarë thonë se për një Shqipëri që ka dalë nga një sistem i gjatë komunist, ku etja për banesa është ende e madhe dhe ku ende janë të shumtë ata që kërkojnë të blejnë një shtëpi, vështirë të shfaqet ndonjë tkurrje e tregut apo “ngrirje” e kërkesës, siç po ndodh në disa vende pranë saj, të Europës Qendrore dhe Lindore. Vendi ynë ka një panoramë krejt të kundërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku pati zanafillën kriza financiare, pasi këtu njerëzit i blejnë kryesisht banesat për strehim, ndërkohë që në SHBA më të shumtë ishin ata që i blenin për investime. Në këtë aspekt, zvogëlohet akoma më shumë prirja për të patur një rënie të blerjeve, pasi ata që kërkojnë për strehim gjithnjë do të jenë në gatishmëri për të blerë banesë. Afro 70 për qind e transaksioneve që kryhen në tregun e shitblerjeve të shtëpive në kryeqytet bëhet me hua bankare dhe vetëm pjesa tjetër me para në dorë.

1
për qind të fitimit e kanë humbje ndërtuesit deri tani si pasojë e shtrenjtimit të kostos së ndërtimit

1.3
për qind më shtrenjtë se një vit më parë kushtojnë materialet e ndërtimit si pasojë e rritjes së çmimit

44.3
për qind ka rënë kredia për individët gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008 nga 57.5 për qind që ishte

7.5
për qind është rritja mesatare e pagave për punëtorët e transportit në sektorin e ndërtimeve

77
për qind e portofolit të kredisë thithet nga sektori i ndërtimit dhe industria që e përdorin për likuiditetet

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›