E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Fonde rezervë për kreditë e këqija në banka

TIRANË – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dha dje alarmin për rritjen e kredive të këqija në sistemin bankar në Shqipëri, duke kërkuar që ato të mbulohen me fonde rezervë. Gjatë takimit të fundvitit me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë në vendin tonë, guvernatori Ardian Fullani ka përcjellë urimin, por ka theksuar edhe sfidat që mbeten në këtë periudhë krize. Rritja e shpejtë e kredive me probleme mbetet kërcënimi kryesor i sistemit bankar gjatë vitit të ardhshëm. Sipas tij, përkeqësimi i cilësisë së kredive do të ndikojë në fitimet e bankave gjatë një periudhe afatmesme.
Aktualisht niveli i kredive me probleme ka arritur në 9% të totalit të portofolit, kjo situatë është një nga arsyet pse bankat kanë rritur normat e interesit, për kreditë. “Po përballemi me një përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë, i cili rëndon në rezultatin tuaj financiar”, - u tha Fullani bankierëve. Banka e Shqipërisë mbështet përpjekjet e bankave për të mbuluar me fonde rezervë kreditë me probleme. Në fjalën e tij guvernatori u ndal edhe në situatën aktuale të kreditimit dhe ndikimin që ajo ka dhënë në zhvillimin e ekonomisë. Fullani u shpreh se Banka e Shqipërisë është e interesuar që kreditimi të vijojë në monedhën vendase dhe u kërkoi bankierëve që të vijojnë kredidhënien për klientët e tyre dhe për ekonominë. Pak kohë më parë institucioni më i lartë monetar deklaroi se mungesa e kreditimit mund ta çojë ekonominë në një rreth vicioz duke sjellë ngadalësim të saj. Kjo situatë aspak e këndshme do të rëndojë konsumatorët dhe biznesin vendas.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›