E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina, mbërrijnë 10 mijë doza kundër virusit A/H1N1

Emanuela Sako
Mbërrin në Shqipëri vaksina kundër virusit të gripit të derrit nga Hungaria. Janë rreth 10 mijë doza, të cilat do të shpërndahen në Tiranë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në repartet intensive të saj, si dhe në Sanatorium. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se vaksina vjen nga Hungaria, nga një firmë shumë e njohur prodhuese e këtij vendi. Ministria e Shëndetësisë ka aplikuar për sigurimin e dozave edhe me vende të tjera, por deri më tani nuk është kthyer asnjë përgjigje. Duke pasur parasysh rastet e personave që kanë humbur jetën nga virusi A/H1N1 është konstatuar se kryerja e vaksinës është e nevojshme dhe për më tepër tek personat që konsiderohen si kategoritë më të rrezikuara.
Kategoritë
Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar kategoritë më të rrezikuara nga gripi i derrit. Sipas përfaqësuesve të shëndetësisë, grupet e para që do të vaksinohen janë fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç, gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe të sëmurët kronikë. “Unë besoj që vaksinat e para ndaj gripit pandemik A/H1N1, janë 10 mijë dozat e para që vijnë nga Hungaria. Ka një plan dërgese nga kompania në të cilën janë prenotuar vaksinat në Hungari. Në javët në vijim pritet të vijnë me nga 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapacitetit prodhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transportit”, - shprehet Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Deri më tani, nga rastet që kanë humbur jetën 3 persona kanë qenë të sëmurë kronikë dhe një tjetër ka qenë shtatzënë. Ndërsa rasti i 31- vjeçarit nga Vlora është i dyshimtë, pasi ai nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Po i tillë, konsiderohet edhe rasti i 18- vjeçares shtatzënë, e cila nuk vuante nga sëmundje kronike, por për shkak të shtatzënisë dhe një anemie që është normale në këtë periudhë, humbi jetën nga komplikacionet që shkaktoi virusi në mushkëritë e viktimës. Specialistët sqarojnë se kategoritë e mësipërme, e kanë të nevojshme kryerjen e vaksinës në kohë, pasi virusi pandemik është i predispozuar të krijojë komplikacione.
Efektet
Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë dhe njëkohësisht mjek infeksionist, Pëllumb Pipero ka këmbëngulur që personat të mos ndihen të rrezikuar nga vaksina, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ata mund t’i bëjnë ballë virusit të gripit të derrit. Deklarata e Piperos është bërë në një kohë kur disa shtete europiane kanë bërë të ditur se vaksina ka dhënë efekte anësore dhe ka shkaktuar deformime tek disa pacientë. Por edhe OBSH-ja ka bërë të ditur se vaksinimi është e vetmja mënyrë që mund të aplikohet për të shmangur situatën e pandemisë së gripit të derrit në të gjithë botën. Pavarësisht se vaksina ndaj A/H1N1 ka sjellë efekte anësore, si reaksione alergjike në shtete të ndryshme që e kanë aplikuar, Pipero thotë se këto janë efekte afatshkurta që sjellin edhe vaksinat e tjera. Ndërkohë që ai tregon se për vaksinën që do të përdoret në vendin tonë nuk ka raporte nga shtetet që e kanë përdorur që ajo të ketë shkaktuar probleme. “Grupe të caktuara vaksinash në vende të ndryshme, të prodhuara nga kompani të ndryshme, kanë dhënë efekte anësore afatshkurtra të vaksinave, ndërkohë që efektet afatgjata të këtyre vaksinave ende nuk njihen. Vaksina vjen nga Hungaria, nga një firmë shumë e njohur prodhuese e vaksinave. Është aplikuar jo vetëm në Hungari, por dhe në vende të tjera dhe nuk ka asnjë raport deri tani që kjo vaksinë që vjen tek ne, ka dhënë efekte anësore në vendet respektive”, - ka deklaruar Pipero.
Aktualisht numri i viktimave të shkaktuara nga gripi i derrit ka shkuar në pesë në vendin tonë. Ndërkohë që 12 persona janë shtruar në Spitalin Infektiv dhe shtatë në Sanatorium.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›