E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia britanike: “Ilir Kumbaro nuk ekstradohet”

I akuzuari për zhdukjen e Remzi Hoxhës, tashmë i lirë. Vendimi i Gjykatës së Lartë shpëtoi ish-shikasin
LONDËR - Gjykata e Apelit në Londër refuzon kërkesën e Drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Ilir Kumbaros, ish-shikasi i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Gjykata e Apelit e Londrës ka vendosur ditën e djeshme të mos e sjellë Kumbaron në Shqipëri për shkak se ndaj tij nuk ka asnjë masë sigurie dhe nuk rezulton person në kërkim. Në këtë mënyrë, ish-shikasi i akuzuar për të paktën gjashtë vepra penale, do të vazhdojë të jetë i lirë. Ky lajm është konfirmuar nga vetë mbrojtësit e Ilir Kumbaros, të cilët bëjmë me dije vendimin e Gjykatës së Apelit të Londrës. Bëhet e ditur gjithashtu se kjo gjykatë ka marrë për bazë vendimin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, e cila vetëm disa ditë më parë vendosi shuarjen e masës së sigurisë ndaj këtij personi. Në këtë mënyrë është anashkaluar vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila, me kërkesë të Prokurorisë, rivendosi masën e sigurisë “arrest me burg” vetëm tri ditë më parë. Tashmë i takon vetë Ilir Kumbaros të vendosë nëse do të paraqitet apo jo në Gjykatën e Krimeve të Rëdna, ku po zhvillohet një proces gjyqësor në ngarkim të tij.
Proceset
Disa kohë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë të Londrës kishte vendosur ekstradimin e tij në Shqipëri në bazë të kërkesave të dërguara nga ana e Drejtësisë shqiptare, por ky vendim u apelua nga ana e vetë Kumbaros, i cili fillimisht pretendoi se ishte Shaqa Shatri, një person nga Kosova. Paralelisht me procedurat e ekstradimit të tij, në Shqipëri është zhvilluar dhe procesi gjyqësor, ku ky i pandehur akuzohet se në bashkëpunim me Arben Sefgjinin dhe Avni Klodashin, akuzohen për torturimin e Ziso Kristopullit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, si edhe për zhdukjen e këtij të fundit. Në këtë proces janë thirrur një numër i madh dëshmitarësh, të cilët janë munduar të hedhin dritë mbi zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas 14 vite më parë.
Ilir Kumbaro u lirua nga burgu ku mbahej prej gati një viti, pas vendimit të Gjykatës së Lartë Shqiptare, e cila pushoi masën e sigurisë ndaj tij, pasi sipas saj, ajo e kishte humbur fuqinë.

Përpjekja
Vetëm pak ditëm më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Gjykatës caktimin e një tjetër mase sigurie, kërkesë kjo që u pranua nga ana e trupit gjykues. Menjëherë pas zbardhjes së këtij vendimi, ai u përkthye dhe u nis drejt Anglisë, ku i kërkohej Drejtësisë së këtij shteti që të verifikonin vendndodhjen e tij. Tashmë, vendimi i Apelit të Londrës i rrëzoi të gjitha përpjekjet e shtetit shqiptar për ekstradimin e këtij të pandehuri dhe vënien e tij përpara Drejtësisë shqiptare.
Ende nuk dihet se çfarë masash do të marrë Drejtësia shqiptare për ta ekstraduar Ilir Kumbaron, por pas vendimit të Apelit londinez duket se shanset janë shumë të pakta që ky i pandehur të vihet në bankën e të akuzuarve.
Ndërkohë, në Tiranë vijon procesi për personat e tjerë të përfshirë në rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Familja e tij ka akuzuar Drejtësinë për ndërhyrje nga politika në dhënien e vendimeve. Në ditët e proceseve gjyqësore, djali dhe vëllai i biznesmenit të zhdukur u kërkuan institucioneve të shtetit që të gjejnë të paktën eshtrat e njeriut të tyre, në mënyrë që të ketë një varr për të pas 14 vitesh mister.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›