E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbin jetën dy foshnja, dyshohet vaksina e gripit

DURRËS - Humbin jetën dy foshnja 6-muajshe në Durrës, dyshohet se shkaku mund të jetë vaksina e gripit ose helmimi nga qumështi. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në fshatin Fllakë të komunës së Katundit të Ri, në familjen e shtetasit G. V., kur dy foshnjat e tij binjake, M. V. dhe B. V., gjashtëmuajshe, janë gjetur të vdekura në krevatin e tyre nga nëna. Nëna e re ka tundur dhe shkundur me radhë dy fëmijët e saj, por asnjëri prej tyre nuk jepte shenja jete ndërsa kishin shkumë në gojë. Ajo dha alarmin duke lajmëruar menjëherë mjekun e familjes dhe më pas policinë. Policia, e cila nisi hetimet, mësoi nga prindërit se dy foshnjat, më datë 12 të këtij muaji janë vaksinuar dhe pas vaksinimit ata nuk kanë paraqitur ndonjë shqetësim apo temperaturë të lartë. Gjatë këtyre ditëve dy foshnjat kanë qenë në gjendje gripale, por pa temperaturë të lartë. Një natë përpara ngjarjes, rreth orës 20:00, pasi i ka ushqyer foshnjat e saj me qumësht me biskota, i ka vënë për të fjetur. Ndërsa rreth orës 2:30 pas mesnatës, gruaja ka gjetur dy fëmijët e saj në krevat të vdekur dhe me shkumë në gojë. Sipas policisë, nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme në trupin e tyre. Dy foshnjat iu nënshtruan autopsisë pranë Spitalit të qytetit të Durrësit, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes. Burime nga policia thanë se priten analizat që Mjekësia Ligjore të përcaktojë shkakun e vdekjes së foshnjave, nëse ato kanë vdekur si pasojë e ndonjë helmimi të mundshëm nga ushqimi me qumësht dhe biskota, apo nga sëmundja e gripit.

Thyen “arrestin e shtëpisë”, arrestohet 15-vjeçari

TIRANË - Largohet nga ambientet e shtëpisë, ku ishte vendosur nga ana e gjykatës, por arrestohet disa orë më vonë. Kjo është historia e 15-vjeçarit E. H., lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje. Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për këtë person, por vetëm një javë pas këtij vendimi ai e ka thyer këtë vendim dhe është parë të lëvizë i lirë. Sapo është konstatuar largimi i tij, uniformat blu të Komisariatit Nr. 2 në Tiranë kanë kryer arrestimin e tij në flagrancë. 15-vjeçari është në hetim për veprën penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë”. Sipas policisë, bëhet e ditur se ky person ka tentuar të vjedhë një supermarket në kryeqytet, por është arrestuar nga policia.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›