E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mituri aksidenton për vdekje 89-vjeçarin

TIRANË - Një i mitur ka aksidentuar për vdekje me automjetin e tij një të moshuar. Ngjarja ndodhi dy net më parë, në Rrugën e Durrësit, me drejtim lëvizje Laprakë – rrethrrotullimi i sheshit “Rilindja” në Tiranë, kur 15-vjeçari Xh. B. ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targë TR 8284 S, në momentin që ka përplasur të 89-vjeçarin Sulejman Dragoshi. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Burime nga policia thanë se i moshuari po tentonte të kalonte nga një krah i rrugës në tjetrin në momentin që u përplas nga automjeti. Ai u transportua në spital, por ndërroi jetë sapo mbërriti në duart e mjekëve. Policia ndaloi 15-vjeçarin pasi akuzohet për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimit të mjetit pa dëshmi”.

Gjendet e vdekur buzë kanalit e moshuara

DURRËS – Një 98-vjeçare është gjetur e vdekur pranë një kanali në Durrës duke vënë në alarm policinë e këtij qyteti. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur H. H. është gjetur e vdekur buzë një kanali pranë Depos Ushtarake të Minave në Porto Romano, Durrës. Kanë qenë familjarët e saj, banues në Lagjen Nr. 15 Durrës që lajmëruan policinë. Sipas tyre, e moshuara kishte dalë nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Nga veprimet e para hetimore, policia deklaroi se 98-vjeçarja prej kohësh vuante nga sëmundje të zemrës, mëlçisë, sklerozës etj., për të cilat edhe kurohej. Nga hetimet e kryera mendohet se shkaku i vdekjes është infarkti kardiak (konfirmohet se kjo shtetase kishte kaluar edhe më parë infarkt).

Vetëplagoset me çifte aksidentalisht 70-vjeçari

KRUJË - Vetëplagoset nga pakujdesia me çifte një 70-vjeçar. Ngjarja ndodhi në fshatin Qerekë të rrethit Krujë, pranë Urës së Tapizës. Policia tha se R. K., 70-vjeç, lindur e banues në Rinas të rrethit Krujë, dyshohet se është vetëplagosur brenda makinës së nipit të tij M.M. me një armë gjahu, kur po e kalonte këtë të fundit nga sedilja e parë e makinës në të pasmen. Nga hetimet paraprake rezultoi se arma e gjahut me të cilën ishte vetëplagosur i moshuari ishte lëshuar me leje nga Komisariati i Policisë Krujë, nipit të të dëmtuarit.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›