Vasili: 175 raste të reja në vit kanë nevojë për trajtimin me dializë
Jonida Late
Shtohen rastet e të sëmurëve nga mosfunksionimi i veshkave, ku numërohen rreth 175 raste të reja në vit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë një takimi me specialistë të shëndetësisë theksoi se skemës së trajtimit me dializë do t’i shtohen edhe 60 raste të tjera vetëm në qytetin e Fierit. Ministria e Shëndetësisë do të rrisë numrin e të sëmurëve që trajtohen me dializë në 800 persona nga 500 që po trajtohen aktualisht. Vitet e fundit janë shtuar rastet e të prekurve edhe tek fëmijët e vegjël, për të cilët kërkohet një trajtim më i specializuar. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), do të ngrenë Shërbimin e Dializës në Pediatrisë e Tiranës. Pak kohë më parë Shoqata e Pacientëve të Dializës, kanë kërkuar që Brenda kostos së trajtimit me dializë të pacientëve, shteti duhet të marrë parasysh edhe transportin e pacientëve dhe të të afërmve të tyre, pasi lëvizjet janë të shpeshta dhe të papërballueshme ekonomikisht. Për këtë, Vasili premtoi se do të jetë një kërkesë, e cila do të plotësohet Brenda vitit 2010. Specialistët e nefrologjisë kanë mbledhur të dhënat për situatën e të sëmurëve që kërkojnë trajtimin me dializë. Kështu, rreth 50 – 60 persona për një milion banorë në vit, humbasin plotësisht funksionin e veshkës. Aktualisht, rreth 175 raste të reja në vit kanë nevojë të trajtohen me shërbimin e dializës. Në të gjithë vendin janë ngritur disa qendra për trajtimin e të sëmurëve. Katër qendra funksionojnë në Tiranë dhe trajtohen 135 të sëmurë, një qendër në Shkodër me 40 të sëmurë, Elbasan 45 të sëmurë, dhe një qendër në Gjirokastër me 12 pacientë. Shërbimi i dializës ësht5ë përballur me një sërë problemesh vitet e fundit, ku çështje kryesore ka qenë transfuzioni i gjakut. Problemet me sigurimin e gjakut kanë bërë që shumë pacientë të mos marrin kurimin e nevojshëm në kohën e duhur. Një pacient që trajtohet me dializë duhet të kryejë transfuzion gjaku 3 herë në javë, çka është e pamundur për spitalet tona që të mundësojnë sasitë e nevojshme të gjakut. Pacientët kanë protestuar shpeshherë pranë Ministrisë së Shëndetësisë për zgjidhjen e situatës, por deri tani ka rezultuar e pamundur për të përmbushur të gjitha kushtet. Zgjidhja e vetme që ka dhënë Ministria e Shëndetësisë është që të sëmurët të trajtohen edhe në spitalet e vendeve fqinje, në bazë të disa marrëveshjeve që ka bërë me ministrisë homologe dhe me spitalet. Kështu, pacientët shqiptarë kanë të drejtë të trajtohen në spitalet më të afërta të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Greqisë. Një masë tjetër që është marrë nga Ministria e Shëndetësisë është kontraktimi me qendra të tjera dialize, publike apo private që të ngrihen në ato qytete me fluksin më të madh të të sëmurëve.
19 Dhjetor 2009