BSH-INSTAT, marrëveshje bashkëpunimi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhe Drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Statistikave (INSTAT), zj. Ines Nurja, nënshkruan dje Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it. Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, Guvernatori Fullani u shpreh se nënshkrimi i këtij memorandumi do të sjellë krijimin e një infrastrukture më solide në bashkëpunimin midis të dy institucioneve nëpërmjet rritjes së standardeve dhe shpërndarjes në kohë dhe me efektivitet të të dhënave. Më tej Fullani theksoi se, "nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar pa statistika të zhvilluara". Nëpërmjet zbatimit të këtij memorandumi, BSH-ja do të rrisë numrin e produkteve statistikore që merren nga INSTAT-i në kuadrin e vlerësimeve të fazës së re të zhvillimit ekonomik në të cilën po hyn vendi.