E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie matura, konkurs në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

Maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja duhet t‘i nënshtrohen një testimi ekstra, që zhvillohet në muajin korrik. Nisur nga fakti se vitin e kaluar fituan qindra studentë, që nuk kishin asnjë njohuri në gjuhën që konkurruan, ky fakultet propozoi që përpos katër provimeve të maturës, kandidatët të japin edhe një test special për gjuhën ku do të studiojnë. Propozimi ka gjetur mirëkuptim në Ministrinë e Arsimit dhe tashmë është vendosur që Gjuhët e Huaja të hyjnë në grupin e fakulteteve të veçanta. Bashkë me Akademinë e Arteve, Akademinë Sportive dhe Fakultetin e Arkitekturës, Gjuhët e Huaja do të zhvillojnë në datat 16-30 korrik një test special për maturantët që konkurrojnë në këto degë. Ndërsa në të gjitha fakultetet e tjera në mbarë vendin, emrat e fituesve dalin nga rezultati i katër provimeve të maturës shtetërore. Për sa i përket Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, që listohet për herë të parë, në degët që do të zhvillohet testi special i pranimit, mësohet se provimi do të jetë test me pyetje alternative dhe vetëm një prej tyre diskutohet të jetë me zhvillim. Sipas autoriteteve të këtij fakulteti, është menduar që një pyetje të jetë ese në gjuhë të huaj. Ndërsa në propozimin që ka mbërritur në Ministrinë e Arsimit thuhet se "Fakulteti i Gjuhëve të Huaja kërkon që kandidatët për studentë të kenë notë mesatare të katër viteve mbi 8". Një kërkesë tjetër është se "maturantët që konkurrojnë në programin e studimit gjuhë angleze dhe në programin e studimit në gjuhën frënge duhet të japin si lëndë me zgjedhje respektivisht në gjuhën angleze dhe gjuhën frënge". Pra kandidatët që synojnë të ndjekin këto dy degë nuk do të përfshihen në testimin special, por vetëm në ato të maturës, me kusht që njëra lëndë me zgjedhje të jetë gjuha e huaj përkatëse. Ndërsa kandidatët për studentë të programeve të tjera të studimit duhet të testohen për njohuritë e tyre mbi gjuhën e huaj. Bëhet fjalë për kandidatët e degës së gjermanishtes, italishtes, greqishtes, rusishtes, spanjishtes dhe turqishtes. Ata pranohen në fakultet vetëm nëse kapin nivelin B të gjuhës, sipas Kuadrit Evropian të Referencës. Nga të dhënat e formularit A1 rezulton se mbi 8 mijë maturantë janë regjistruar në lëndën me zgjedhje anglisht. Por kjo nuk do të thotë se janë të gjithë pretendentë për degën e anglishtes. Kjo lëndë ka koeficient të lartë edhe në degë të tjera, ndaj është zgjedhur nga të rinjtë. Për sa i përket frëngjishtes, rezulton të jenë regjistruar 270 maturantë, të cilët janë të gjithë kandidatë për këtë fakultet, pasi lënda nuk ka koeficient në degët e tjera të universiteteve. Ndërsa numri i kandidatëve për 6 degët e tjera të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja do të mësohet vetëm pasi të rinjtë të kenë plotësuar formularin A2. Nga të dhënat e vitit të kaluar vihet re se në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja konkurrojnë mesatarisht afro tremijë vetë në të gjitha degët. Ndërsa numri i kuotave të pranimit është nga 100 për degët kryesore, si anglisht, italisht, frëngjisht. Për të tjerat, numri i pranimeve varion nga 20 deri në 50 studentë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›