Rivotohet "ligji i gjobave", anashkalohen kërkesat e biznesit
Pavarësisht thirrjes së shoqatave të biznesit për ndryshim të ligjit "Për procedurat tatimore", Kuvendi e ka miratuar atë pa marrë në konsideratë propozimet e tyre. Vetëm pak ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit që detyronte biznesin të parapaguante 15 për qind të gjobës dhe interesat para apelimit, Kuvendi ka lënë të pandryshuar nenet e tjera të ligjit, që përcaktojnë rastin kur subjekti duhet të paguajë në fillim 100 për qind të detyrimit tatimor para se të kryejë apelimin në strukturat e Drejtorisë së Tatimeve. Në thelb, për shoqatat e bizneseve asgjë nuk ka ndryshuar, për aq kohë sa po kushtëzohen me pagimin e detyrimit tatimor si kusht për t‘u ankimuar. Pavarësisht apeleve të njëpasnjëshme, Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin e qeverisë për procedurat tatimore, duke marrë në konsideratë vendimin e kushtetueses për heqjen e nenit të gjobave, por duke lënë të pandryshuar pikën e parë të nenit 107, për pagimin e detyrimit para apelimit. Tashmë, shpresa e shoqatave të biznesit, të cilat kanë formuar një grupim në mbrojte të së drejtës, nuk mbetet veçse në vendimin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, i cili në disa raste ka marrë në konsideratë kërkesat e tyre.