E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do vrisja këdo që do më dilte përpara"

Reshit Adri, njeriu që terrorizoi të hënën fshatin Podgorie të Korçës, është dorëzuar dje në mëngjes, pas rezistencës 12-orëshe me armë në dorë. "Vrasjen e bëra për hakmarrje. Po të kisha gjetur të tjerë persona, të gjithë do t‘i vrisja. I vrava se ata kanë ndikuar në vdekjen e djalit tim. Djali u vra prej tyre dhe e meritonin vdekjen". Këto kanë qenë fjalët e burrit 45 vjeç, që nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për vrasjen e një bashkëfshatari, plagosjen e një gruaje dhe terrorizimin e një fshati të tërë.

Arratia

Reshiti kishte arritur të kalonte malin gjatë natës, ndërsa forca të shumta policie mbanin nën kontroll zonën për të mos lejuar depërtimin e tij në fshatra, ku mund të vriste të tjerë njerëz. Vetëm kur ka zbardhur, forcat RENEA kanë arritur ta rrethojnë 45-vjeçarin e çekuilibruar dhe nën presionin e armëve kanë arritur ta çarmatosin e ta vinin në pranga. Në momentin e arrestimit, Reshit Adri kishte ende shumë fishekë, edhe pse gjatë gjithë natës kishte shtënë qindra herë me kallashnikovin e tij. Policia tha se ai kishte me vete një çantë të mbushur me fishekë dhe me granata dore. Burimet zyrtare të policisë kanë thënë se Adri u lokalizua në orët e mëngjesit, në afërsi të vendit të quajtur Korija e Vakëfit, disa kilometra larg fshatit të tij, pasi kishte kaluar më këmbë gjatë natës matanë Malit të Thatë. Burimet e policisë kanë thënë se gjatë natës dhe deri në orët e mëngjesit, shtetasi Reshit Adri ka qëlluar disa herë në drejtim të forcave policore dhe dy herë ka tentuar të qëllojë ndaj drejtuesve të operacionit, të cilët flisnin me të me anë të një megafoni. Fshati Podgorie ka jetuar nën terror deri në prangosjen e 45-vjeçarit, për shkak të të shtënave dhe rrezikut të rikthimit të tij në zonën e banuar. Mësohet se pasi ka shtënë mbi dy bashkëfshatarë të tij, Adri është kthyer në banesë, ku ka marrë çantën me fishekë e granata dhe është ngjitur në një kodër pranë lagjes së tij, nga ku ka filluar të shkëmbejë zjarr me policinë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Adri e kishte kërkuar me zë të lartë ardhjen e policisë, sepse donte të hakmerrej ndaj policëve për vdekjen e djalit 19-vjeçar, i cili u vetëvra para dy muajsh teksa kryente shërbimin ushtarak në radhët e Gardës së Republikës.

Arsyet

Banorët e fshatit Podgorie thonë se Reshit Adri kishte kaluar në depresion pas vetëvrasjes së djalit të tij ushtar. Kjo ngjarje, e ndodhur më 12 nëntor të vitit të shkuar, është bërë shkak që me një automatik në dorë, 45-vjeçari të zbrazë plumba mbi bashkëfshatarët, duke lënë të vdekur në vend Lulëzim Lazen dhe duke plagosur vajzën e motrës së këtij të fundit. Por, fshatarët thonë gjithashtu se vetë Reshiti e kishte shtyrë djalin në vendimin e tmerrshëm. "Vetë ai e shtyu në vetëvrasje të birin" tha njëri prej tyre dje. Në fshat qarkullojnë fjalë se para se të vetëvritej, djali e telefonoi babanë nga celulari i një shoku dhe i kërkoi t‘i dërgonte lekë për të blerë një celular, sepse ia kishin vjedhur atë që kishte. Reshiti, sipas fjalëve të fshatarëve, nuk pranoi t‘i dërgonte para, madje i foli rëndë, duke e prekur në sedër të birin. Djali mori shërbimin dy orë pas kësaj telefonate dhe me armën që kishte vrau veten. Bashkëmoshatarët e Reshitit thonë se ai ishte i egër me fëmijët dhe se gjithmonë ka shfaqur shenja çekuilibri mendor. Ndërkohë mësohet se Reshit Adri nuk ishte keq nga gjendja ekonomike. Ai kishte 100 krerë dhen, një zetor, me të cilin punonte tokat e tij dhe të fshatarëve të tjerë. "Nuk kishte pse t‘ia prishte qejfin djalit për një celular dhe ta shante deri sa e çoi në vetëvrasje", tha një nga të njohurit e Reshit Adrit, çmenduria e të cilit i mori jetën një njeriu të hënën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›