Na thoni sa shqiptarë vranë veten vjet?
Numri i madh i vetëvrasjeve është bërë më në fund edhe çështje e debatit politik. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, doli dje në një konferencë shtypi dhe duke iu referuar shifrës 331 të vetëvrasjeve të vitit 2008, hodhi akuza mbi qeverinë, si shkaktare e dëshpërimit që shkakton ngjarje të tilla në popull. Por pak orë pasi Braçe foli nga selia e PS-së, në Ministrinë e Brendshme doli në një konferencë për shtyp zëdhënësi Fatmir Konja. Ai e konsideroi të sajuar shifrën e përmendur nga Braçe për numrin e vetëvrasjeve dhe theksoi se qeveria ka shënuar arritje domethënëse në luftën ndaj krimit. Shifra 331 e vetëvrasjeve, të cilës iu referua Braçe, është publikuar nga gazeta "Shqip" në ditët e fundit të vitit të shkuar. Në fakt shifra nuk është e saktë, sepse pas botimit të artikullit në gazetë, pati edhe një rast tjetër vetëvrasjeje që shtohet në statistikat e vitit 2008. Nëse Braçe do të kishte qenë i kujdesshëm, do të kishte folur për 332 vetëvrasje në 366 ditët e vitit që shkoi. Por Braçe mund të justifikohet për këtë pasaktësi, paçka se bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe jo për miliona të vjedhura. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme nuk mund të mjaftohet me një përgënjeshtrim të thatë të shifrës. Nëse shifra nuk është e saktë, ai duhet të na e thotë të saktën. Shifra që publikoi gazeta "Shqip" nuk është as e shpikur, as e përllogaritur me ndonjë formulë të çuditshme. Artikullshkruesi ishte njeriu që përdori njohuritë e marra në lëndën e aritmetikës në shkollën fillore për të mbledhur numrin e vetëvrasjeve të raportuara nga Drejtoritë e Policisë në 12 qarqe të vendit gjatë analizës së tyre vjetore të punës. Çdo shifër e përdorur në përllogaritjen e numrit të përgjithshëm të vetëvrasjeve gjatë vitit 2008 bazohet mbi të dhënat zyrtare të policisë, përjashtuar rastet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, të dhënat e të cilave u korrigjuan duke u bazuar te raportimet e bëra në media gjatë vitit. Kjo është e vetmja pjesë jozyrtare e kësaj përllogaritjeje të tmerrshme jetësh të humbura dhe duke e hequr këtë pjesë jozyrtare, shifra mbetet përsëri e tmerrshme, jo 332, por 325. Ministria e Brendshme, duke pasur më shumë informacion mbi çështjen, mund t‘i zbresë kësaj shifre edhe të vdekurit nga overdoza, që në statistika policore klasifikohen te vetëvrasjet. Megjithatë, bilanci mbetet përsëri i tmerrshëm, sepse vdekja nga overdoza nuk përbën as dy për qind të rasteve. Vetëvrasjet po bëjnë kërdinë në këtë vend prej vitesh dhe përgjegjësia për këtë nuk mund të mendohet se është e Ministrisë së Brendshme. Por meqenëse kjo ministri përgënjeshtroi dje shifrat, le të na thotë zyrtarisht: Sa shqiptarë vranë veten vjet?