Gjykata e Tiranës rrëzon pjesërisht kërkesën e PSV 91
Tiranë - Gjykata e Tiranës ka rrëzuar pjesërisht kërkesën e Partisë Socialiste për partinë e Petro Koçit. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje për gazetën “Albania” se gjyqtarja Enkela Bajo nuk e ka pranuar kërkesën për pezullimin e regjistrimit të Vendimit Nr. 1448, datë 26.02.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për regjistrimin si person juridik të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sakaq, konflikti i Partisë Socialiste me partinë e Petro Koçit do të gjykohet nga një tjetër gjyqtare. Kjo padi pritet të vendosë nëse do të ndërrohet stema apo detaje të tjera që identifikojnë një subjekt politik. Pritet që ky proces civil të nisë në mesin e muajt prill, duke vënë në pikëpyetje kështu edhe pjesëmarrjen e Petro Koçit në zgjedhjet që pritet të zhvillohen në qershor të këtij viti. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se objekti i padisë kësaj here është: Detyrimi i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 të ndryshojë emrin dhe stemën e saj; sigurimin e padisë; pezullimin e regjistrimit të Vendimit Nr. 1448 datë 26.02.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për regjistrimin si person juridik të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; ndalimin e përdorimit të emrit Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 të inicialeve PSV ‘91 si dhe të stemës deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor.
9 Prill 2009