E Diel, 1 Nëntor 2026

Lumë padish në gjykatë, bizneset pushojnë nga puna dhjetëra punonjës

Gjatë vitit 2009 në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar rreth 150 padi të tilla. Mes padive civile, edhe ankesat nga institucionet shtetërore për largim të padrejtë nga puna

Laureta Rryçi

Tiranë - Kriza ekonomike ka prekur edhe bizneset që operojnë në Shqipëri. Kjo vërtetohet më së miri nëpërmjet padive të regjistruara gjatë këtij viti në gjykatë për largim të padrejtë nga puna. Ndryshe nga vitet e tjera, ku këto padi ishin në numër fare të pakët, gjatë 2009-s janë regjistruar më shumë se 150 padi civile për marrëdhënie pune me bizneset. Numri total i padive gjatë kësaj periudhe për largim të padrejtë nga puna ka arritur në 335, duke iu shtuar kështu listës edhe paditë me institucionet shtetërore. Natyrisht që kjo shifër nuk tregon numrin real të të papunëve gjatë kësaj periudhe, pasi jo të gjithë të papunët mund të përballojnë nga ana ekonomike një proces civil për të përfituar të drejtat që i parashikon Kodi i Punës.
Privati
Mjaft biznese në vend kanë nisur të shfaqin shenjat e para të krizës ekonomike. Përballë situatës ku shitjet po shënojnë shifrat më të ulëta, ata detyrohen të shkurtojnë numrin e punonjësve duke mos respektuar kështu kontratën e punës që kanë me ta. Gjatë këtyre tre muajve në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar dhjetëra padi pikërisht për këtë arsye. Paditësit janë punëtorët e thjeshtë, ndërsa pala e paditur janë bizneset ku punonin deri dje. Punonjësit i kërkojnë gjykatës që punëdhënësit t’i paguajnë detyrimet që u kanë për shkelje të kontratës. Ky është fenomen që është shfaqur më së shumti gjatë këtij viti. Statistikat e kësaj gjykate tregojnë se vitet e kaluara kjo lloj padie nuk e kalonte shifrën, përgjatë gjithë vitit, e 30 padive. Ndërsa tani ato janë shumëfishuar.
Shteti
Edhe këtë vit nuk mungojnë paditë që kanë në shenjë institucionet shtetërore për largim të padrejtë nga puna. Edhe këto padi përbëjnë një numër të konsiderueshëm në gjykatë. Zakonisht, në të tilla procese civile, qytetarët kërkojnë që gjykata ose t’i rikthejë në detyrë, ose t’u paguhet paga e një viti si dëmshpërblim për largim të padrejtë. Të tilla padi ka vite që regjistrohen me dhjetëra. Në pjesën më të madhe të rasteve gjyqtarët kanë dhënë vendime në favor të qytetarëve, mirëpo këto vendime nuk kanë gjetur ende zbatim, edhe pse janë të detyrueshme.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›