BSH: Kredia për banesa ulet 30 për qind
TIRANE- Gjysma e dytë e vitit të kaluar ka sjellë një rënie drastike të nivelit të kreditimit për privatët nga ana e bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Konstatimi vjen nga Banka qendrore, në deklaratën e saj lidhur me politikën monetare në gjashtëmujorin e dytë 2009. Zhvillimet në kreditimin e sektorit privat gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009 tregojnë për një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes së kredisë. Rritja vjetore e portofolit të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 10 për qind në muajin nëntor. "Pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, kjo rritje ishte vetëm 3 për qind, 4 herë më e vogël se ajo e qershorit të këtij viti. Ndryshe nga gjashtë muajt e parë të vitit 2009, në pjesën e dytë të tij, rënia e kërkesës për kredi po reflektohet në kreditimin me ritme gjithnjë e më të ulëta të sektorit privat", thuhet në deklaratë. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen përballë kritereve relativisht të shtrënguara në kredidhënie, kanë diktuar vendimet e subjekteve privatë për të shtyrë planet e investimeve dhe për të financuar më pak aktivitetin e tyre nëpërmjet huamarrjes, shton BSH. Për bizneset, pas një ngadalësimi me ritme të shpejta gjatë gjithë vitit 2009, në periudhën shtator - tetor portofoli i kredisë në valutë filloi të zvogëlohet, duke u tkurrur mesatarisht me 3.5 për qind në terma vjetorë. Rritja vjetore e kredisë në total për biznese gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009 ka vijuar rënien e njëtrajtshme, duke arritur në 5 për qind në muajin nëntor. Kredia për likuiditet vazhdon të rritet me ritme më të larta se ajo për investime. Tkurrja e aktivitetit kreditues është më e ndjeshme për sektorin e ndërtimit. Portofoli i kredisë për këtë sektor në pjesën e dytë të vitit është tkurrur me 1% krahasuar me vitin 2008, përkundrejt rritjes mesatare vjetore prej 24 për qind që dëshmoi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Ndryshe nga kredia për biznese, ngadalësimi i kredisë për individë është shfaqur që prej dy vitesh tashmë. Pas një zgjerimi modest gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, portofoli i kësaj kredie ka filluar të tkurret muajt e fundit, duke qëndruar në nëntor në nivele rreth 1 për qind më të ulëta se një vit më parë, thuhet në deklaratë. Ku shtohet se "kredia për konsum, ecuria e së cilës ka qenë e dobët përgjatë gjithë vitit 2009, është tkurrur në terma vjetorë, duke shënuar në dy muajt e fundit një ndryshim vjetor negativ prej 10 për qind". Vlera mesatare e kredive të reja të dhëna nga bankat për blerje banesash gjatë pesë muajve të fundit, është rreth 30 për qind më e ulët se në gjashtë muajt e parë të vitit 2009.(GSH/BalkanWeb)