E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Deputetët e PS të dorëzojnë makinat e kuvendit

TIRANE- Katër muaj pas skadimit të afatit për dorëzimin e makinave, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli paralajmëron deputetë të Partisë Socialiste që ende nuk kanë dorëzuar automjetin e përfituar nga qenia e tyre deputet, se nëse nuk i përgjigjen ftesës së saj do të jetë e detyruar të veprojë sipas ligjit. Pas shqetësimit të shprehur nga deputeti Igli Cara, Topalli akuzoi deputetët që i mbajnë ende këto makina, se janë duke vjedhur pronën publike. “Mbajtja e makinave nga ata që nuk janë deputetë është vjedhje e pronës publike. Do të merren masa të tjera sipas ligjit ” theksoi Topalli. Sipas ligjit të miratuar nga mazhoranca , kuvendi kishte vendosur 21 shtatorin si afat të fundit për dorëzimin e të gjithë automjeteve nga ligjvënësit. Sipas shkresës dërguar deputetëve , pas datës 21 shtator, ata që nuk e kishin zbatuar këtë urdhër, mjetet e tyre do të bllokoheshin nga policia e shtetit. Ligji i ri për rrregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nënpunësit civilë reduktoi në mënyrë të ndjeshme përdorimin e automjeteve zyrtare nga administrata dhe uli sasinë e karburantit që përdorej nga zyrtarët shqiptarë. Kryeministri Berisha, në ditët e para të mandatit të dytë deklaroi se me vënien në jetë të kësaj nisme do të kurseheshin më shumë se 30 milionë dollarë në vit, nga reduktimi i luskit të shoferëve, makinave dhe karburantit. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›