E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Kriza, rreziku vjen nga kredia dhe kursi i këmbimit

 Një ndryshim i mundshëm i interesave në valutë dhe kurset e këmbimit mbeten rrezikshmëria më e lartë

Këto lëvizje mund të shkaktojnë ashpërsimin e karakteristikave të rrezikut që mbart huadhënia e shpejtë dhe veçanërisht ajo në valutë, si rezultat i financimit në një valutë rreth të cilës nuk ekziston njohja e nevojshme nga ana e kredimarrësit, dhe i rritjes së madhësisë së vlerës së këstit të kredisë që duhet paguar, për kreditë me normë interesi të ndryshueshme.

Kriza e ekonomisë amerikane që po përfshin tashmë tërë botën mund të sjellë jo pak probleme edhe për ekonominë e vogël shqiptare. Sipas specialistëve të Bankës së Shqipërisë ndryshimi i shpejtë i diferencës midis normës së interesit të valutave kryesore dhe asaj të lekut mund të jetë një faktor esencial. Në vend 73 për qind e kreditit që tashmë ka kapur një nivel prej rreth 3.5 miliardë euro, është në valutë.

Sipas BSH-së ndryshimet në interesa mund të theksojnë më tej faktorët që mbështesin kredidhënien në valutë, dhe për të ruajtur pjesën e tyre të tregut e për të kontrolluar kostot e financimit, sektori bankar mund të zgjedhë të financohet nga tregu i jashtëm në valuta jokryesore (të ndryshme nga dollari amerikan dhe euro), me norma interesi relativisht më të ulëta. Këto lëvizje mund të shkaktojnë ashpërsimin e karakteristikave të rrezikut që mbart huadhënia e shpejtë dhe veçanërisht ajo në valutë, si rezultat i financimit në një valutë rreth të cilës nuk ekziston njohja e nevojshme nga ana e kredimarrësit, dhe i rritjes së madhësisë së vlerës së këstit të kredisë që duhet paguar, për kreditë me normë interesi të ndryshueshme. “Ndjeshmëria e portofolit të kredisë në valutë ndaj një ndryshimi të mundshëm, të pafavorshëm të kursit të këmbimit, bëhet edhe më e madhe. Bankat ashtu edhe klientët e tyre huamarrës, duhet të ndjekin me kujdes dinamikën e zhvillimeve të këtyre faktorëve, dhe të kryejnë veprimet e nevojshme për t’u mbrojtur nga zhvillimi i tyre i pafavorshëm. Analiza “stress-test” mbi rrezikun e drejtpërdrejtë të ndryshimit të normës së interesit dhe analiza e rrezikut të tërthortë të kreditit nga ndryshimi i normave të huaja të interesit për valutat kryesore, tregojnë se sektori bankar në tërësi, paraqet një rezistencë të mjaftueshme ndaj këtyre rreziqeve. Megjithatë, banka të veçanta paraqesin një ndjeshmëri relativisht të lartë ndaj këtyre rreziqeve”, bën të ditur BSH.

Kursi i këmbimit

Autoriteti qendror monetar bën të ditur se lëvizjet e kursit të këmbimit, përveç pasigurisë për vlerën e valutave kryesore (dollari amerikan dhe euro) që ekziston në tregjet ndërkombëtare për shkak të krizës financiare, drejtimi i ndryshëm i lëvizjes së normave bazë të interesit në kushtet e përparësive të ndryshme të bankave qendrore, ndodh të krijojë mundësi për lëvizje ekstreme të diferencës mes tyre, si edhe ndryshim të vlerës së tyre në raport me monedhën kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›