E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra ndaj çamëve, kërkohet nderimi i të rënëve

 

Komuniteti çam i shkruan Bashës të ndërhyjë tek shteti grek për nderimin e të gjithë të rënëve të kësaj popullsie gjatë masakrës nga grekët

TIRANË- Komuniteti çam në Shqipëri i kërkon qeverisë shqiptare që të hyjë në bisedime me qeverinë greke për të bërë të mundur nderimin e të gjithë të rënëve të kësaj popullsie gjatë gjenocidit grek. Nëpërmjet një letre drejtuar Ministrisë tonë të Jashtme shoqëria “ÇAMËRIA”, Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim kërkojnë që MPJ e Shqipërisë t’i paraqesë palës respektive të Republikës së Greqisë kërkesën për ndërtimin në Paramithi të Greqisë të një obelisku në përkujtim të masakrës së Paramithisë si dhe ndërtimin e një varreze përkujtimore pranë Urës së lumit Kalama, në Greqi aty ku prehen të rënët e pafajshëm, që mbetën të vrarë dhe nuk mundën të kalonin këtë urë, gjatë gjenocidit mbi popullatën Çame. “Shoqëria “ÇAMËRIA”, Instituti i Studimeve për Çamërinë, Partia për Drejtësi dhe Integrim shprehin bindjen se Popujt i lidhin urat e tyre të miqësisë duke ndërtuar së pari ‘Faljen’, duke respektuar ata që ranë për një kauzë të ndershme. Ne jemi të bindur se të rënët Çamë, rreth 2800 të tillë, u masakruan në kauzën e tyre të shenjtë për të lindur fëmijët e tyre në tokë të baballarëve. Ne jemi të bindur se të masakruarit, rreth 400 të tillë vetëm gjatë një dite në Paramithi, ranë në tokë të tyre, pa u gjykuar, u vranë”, - thuhet në letrën e dërguar Ministrisë së Jashtme. Nënshkruesit e kësaj letre vlerësojnë se një detyrim i tillë për palën greke lind nga zbatimi i parimit të reciproritetit midis shteteve miq. Sipas tyre, është normale që në kushtet kur shteti grek synon të ngrejë një varrezë për të gjithë ushtarët grekë të rënë në tokën shqiptare gjatë luftës Italo-Greke, që edhe qeveria jonë të kërkojë të njëjtën gjë për të gjithë popullsinë e pafajshme civile çame që ka rënë preh e gjenocidit grek në vite. “Ne jemi të bindur se miqësitë ngrihen mbi faljen, para së gjithash u kërkohet falje të rënëve, nderohen ata” , - përfundon letra drejtuar Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›