FMN: Në pritje të një marrëveshjeje nga qeveria
Fondi Monetar Ndërkombëtar bën të ditur se është gati për të diskutuar të tjera tipe programesh që mund të vazhdojnë kur programi aktual të mbarojë
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka reaguar gjatë ditës së djeshme pas debatit të hapur gjatë ditëve të fundit në vend lidhur me mandatin e këtij institucioni. Sipas marrëveshjes që FMN ka me qeverinë shqiptare, afati i fundit për misionin është muaji janar. Ka qenë përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në vendin tonë, Ann Margaret Westin, e cila ka sqaruar se i takon qeverisë shqiptare të bëjë një kërkesë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar për një marrëveshje tjetër për sa i përket monitorimit dhe kontrollit të buxhetit dhe financave publike. Ajo ka sqaruar se është një procedurë e cila ndiqet me të gjitha vendet anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në funksion të këtij qëllimi FMN-ja ka lënë të hapura dy hapësira për qeverinë shqiptare, një marrëveshje tjetër bashkëpunimi mund të diskutohet ose gjatë mbledhjeve të ardhshme në Washington, ose gjatë vizitës së fundit të FMN-së në vendin tonë që pritet në muajin nëntor. Ann Margaret Westin ka deklaruar gjithashtu se në përfundim të marrëveshjes aktuale, afati i të cilës është në muajin janar të 2009-ës, FMN-ja do të afrojë asistencë teknike për Shqipërinë ashtu siç bën për çdo vend tjetër anëtar. Marrëveshja që qeveria shqiptare kishte me FMN-nëdhe që skadon në janar të 2009 është e gjashta e këtij lloji dhe e katërta për sa i përket periudhës më të gjatë. “Nëse autoritetet shqiptare janë të interesuara, FMN-ja është gati për diskutuar të tjera tipe programesh që mund të vazhdojnë kur programi aktual të mbarojë. Një program i tillë do të përqendrohej përsëri në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, por do të përmbante më pak kushte për reformat strukturore dhe mund të përmbajnë ose jo akses për financime nga Fondi. Të tilla marrëveshje mund, për shembull, të kenë formën e një marrëveshjeje të rregullt ose paraprake të gatishmërisë (Stand-By)”, - ka bërë të ditur dje Ann Margret Westin në një deklaratë për mediat.
Pak ditë më parë, misioni i FMN dhe shefi i këtij misioni, Gery Well, deklaruan se do të largoheshin nga Shqipëria dhe nuk do të kishin më rolin mbikëqyrës për menaxhimin e buxhetit dhe financave publike. Lidhur me skadencën e mandatit të FMN-së, ka reaguar edhe opozita dhe ekspertët e ekonomisë të cilët kanë kërkuar qëndrimin në Shqipëri deri në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Programi aktual është i gjashti që Shqipëria ka me FMN-në, si dhe i katërti afatgjatë. Që në fillim të tij, pritej që ky do të ishte programi i fundit PRGF me Shqipërinë, i cili është konceptuar për vendet më të varfra. Por largimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar pritet të realizohet në një moment kritik për vendin, para fushatës elektorale ku qeveria mund të përdorë fondet buxhetore pa kriter. Situata të tilla kanë qenë prezente në shumë zgjedhje dhe mbikëqyrja e FMN ka qenë mëse e domosdoshme.
++++
Harasani: Largimi i FMN për qëllime elektorale
Opozita ka reaguar me anë të përfaqësuesve të saj disa herë gjatë ditëve të fundit lidhur me mandatin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vend. “Jemi sot përpara jush, për të rishprehur shqetësimin tonë për arrogancën dhe mendjelehtësinë me të cilën qeveria Berisha pa trajton një institucion të përmasave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm dhe falënderojmë publikisht FMN për ndihmën dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në rikonstruktimin e financave publike shqiptare dhe të sistemit bankar shqiptar. Gjithashtu, është pikërisht ky institucion që po hap dyert e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke firmosur për financat shqiptare”, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme Andis Harasani. Opozita në deklarata e saj i mëshon faktit se kryeministri Berisha mund të çojë vendin drejt një kolapsi financiar pa mbikëqyrjen e FMN. “Ky skenar i mosfirmosjes së marrëveshjes vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2009, zgjedhje që do firmosin më së fundit ndarjen e Shqipërisë nga ky tranzicion që po i merr frymën për mbi 18 vjet, nuk ka se si të mos na kujtojë zgjedhjet e turpshme të 1996, të cilat shqiptarët vazhdojnë t’i paguajnë. Janë po ai President dhe Ministër i fajdeve, të cilët garantuan fundosjen e kursimeve, të djersës dhe gjakut të shqiptarëve në skemat piramidale të krijuara nga vetë ata. Me këtë hap, Berisha u ribën të qartë shqiptarëve kudo që ai nuk udhëhiqet nga interesat e vendit e as nga arsyeja dhe e mira e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por vetëm nga interesi i ngushtë i pushtetit të tij personal, që kërkon ta mbajë duke i shpërdoruar financat e shtetit për qëllime ekskluzivisht personale. S’ka asnjë dyshim, se këtë qëllim aspak të përbashkët me të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Kryeministri ynë i paaftë dhe i papërgjegjshëm, nuk mund ta realizojë nën vëzhgimin profesional e të rreptë të FMN-së”, tha Harasani.
+++