E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj “rrëmben” edhe noterët

 

ADI SHKEMBI

Ministri i Drejtësisë do të ketë tagrin për të kontrolluar ushtrimin e veprimtarisë së noterëve në vend. Qeveria ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin “Për noterinë”, të cilat fuqizojnë ministrin e Drejtësisë dhe i japin atij kompetenca që nuk i ka pasur më parë. Kështu pas nenit 1 të ligjit, shtohet neni 1/a në të cilin thuhet se “Autoriteti më i lartë mbikëqyrës i noterisë është ministri i Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë kontrollon ushtrimin e veprimtarisë së noterëve, merr masat e nevojshme dhe kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë noteriale në përputhje me ligjin”. Me ndryshimet e reja, përveç Dhomës Kombëtare të Avokatisë do të jetë edhe Ministria e Drejtësisë ajo që do të marrë pjesë në organizimin e kurseve fakultative të aftësimit, teorik dhe praktik, për kandidatët për noterë, si dhe për noterët. Por pika, e cila ka shkaktuar më shumë debate gjatë hartimit të draftit, është ajo që ka të bëjë me liberalizimin e këtij profesioni. Në nenin 16 në variantin e vjetër thuhet se “numri i përgjithshëm i noterëve, që ushtrojnë veprimtarinë tyre ne territorin e Republikës se Shqipërisë duhet të jetë në përpjesëtim të arsyeshëm me numrin e përgjithshëm të popullsisë”. Ndërkohë sipas variantit të miratuar dje, theksohet “Ministri i Drejtësisë organizon provimin për noterinë. Numri i përgjithshëm i noterëve është i pakufizuar dhe profesionin e noterit ka të drejtë ta ushtrojë çdo shtetas, që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenin 2, të këtij ligji”. Sipas relacionit të hartuar nga ministri Alibeaj “me synim liberalizimin e këtij shërbimi, në harmoni edhe me ndryshimet e dispozitave të tjera të ligjit aktual, parashikohen ndryshime të cilat konsistojnë në heqjen e kufizimeve në numrin e përgjithshëm të noterëve, duke i dhënë mundësinë e ushtrimit të këtij profesioni çdo shtetasi, i cili përmbush kushtet e përcaktuara në këtë ligj”. Por Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reaguar ashpër sidomos ndaj këtij ndryshimi. Në letrën e dërguar nga presidentja e kësaj dhome, Mimoza Sadushaj, thuhet se “lidhur me liberalizimin e këtij profesioni ka premisa të sigurta për rritjen e nivelit të abuzimit në ushtrimin e autoritetit publik nga noterët. E thënë shkurt krijohen kushte të favorshme për rritjen e nivelit të korrupsionit në këtë shërbim”, teksa shton se koha kur iu është vënë në dispozicion ky draft ka qenë tepër e shkurtër. Një tjetër ndryshim ka të bëjë me masat disiplinore ndaj noterëve. Kështu sipas variantit të vjetër për shkelje të dispozitave, që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe të veprimtarisë së noterit, ndaj tyre jepen ndër të tjera gjobë nga 5 mijë deri në 50 mijë lekë. Por sipas ndryshimit të miratuar dje gjoba shkon deri në 3 milionë lekë të reja. Pjesë e ndryshimeve është edhe mënyra e transferimit të noterëve, ku edhe për këtë rast duhet të ndiqen kriteret dhe procedurat e përcaktuara me udhëzim të ministrit të Drejtësisë.

Ndryshimet në ligjin “Për noterinë”

Shtohet neni 1/a
Autoriteti më i lartë mbikëqyrës i noterisë është ministri i Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë kontrollon ushtrimin e veprimtarisë së noterëve, merr masat e nevojshme dhe kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë noteriale në përputhje me ligjin.
Dhomat e noterisë janë përgjegjëse për kontrollin dhe sjelljen e noterëve, që ushtrojnë veprimtarinë brenda juridiksionit të tyre.
Neni 2, pika 1 shkronja d ishte
d)nuk është larguar nga detyra apo funksioni i gjyqtarit, i prokurorit ose i nëpunësit të administratës publike për shkelje të rregullave dhe të disiplinës në punë gjatë 3 vjetëve të fundit nga data e paraqitjes se kërkesës për lejimin e ushtrimit të profesionit të noterit
Neni 2, pika 1 shkronja d bëhet
d) nuk është larguar nga detyra apo funksioni i gjyqtarit, i prokurorit ose i nëpunësit të administratës publike për shkelje të rregullave dhe të disiplinës në punë, si dhe nuk i është hequr më parë leja e ushtrimit të profesionit të noterit.
Neni 2/a ishte
Kandidati për noter kryen stazhin pranë noterit të caktuar nga Dhoma Kombëtare e Noterëve, i cili ka detyrë të përgatisë stazhierin si nga ana teorike, ashtu edhe nga ana praktike. Caktimi bëhet brenda një muaji nga paraqitja e kërkesës për kryerjen e stazhit, duke respektuar për aq sa është e mundur vullnetin e kandidatit dhe cilësinë e përgatitjes. Për të gjitha akreditimet, sipas kësaj dispozite, njoftohet Ministria e Drejtësisë.
Neni 2/a bëhet
Ministria i Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë organizojnë kurse fakultative të aftësimit, teorik dhe praktik, për kandidatët për noterë, si dhe për noterët. Kriteret, programet, procedurat, afatet dhe tarifat e pjesëmarrjes përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të Dhomës Kombëtare e Noterisë.
Neni 3/a shfuqizohen paragrafët
Shtetasi që është shpallur fitues për ushtrimin e profesionit të noterit në më shumë se një vend vakant, duhet që brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit të provimit të njoftojë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë për zgjedhjen e tij.
Nëse nuk përmbushet detyrimi i përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, Ministri i Drejtësisë cakton vendin vakant që do të plotësojë fituesi, si dhe vendet e tjera vakante që do të plotësohen nga konkurrentët e renditur menjëherë pas fituesit, por që kanë marrë mbi 80 për qind të pikëve.
Neni 3/ç ishte
Transferimi i noterit bëhet vetëm me kërkesën e tij.
Noteri që kërkon të transferohet, regjistrohet në listën e noterëve që janë në pritje për transferim, e cila mbahet nga Dhoma Kombëtare e Noterisë.
Dhoma Kombëtare e Noterisë, brenda 30 ditëve nga regjistrimi i kërkesës, i dërgon Ministrisë se Drejtësisë njoftimin zyrtar për këtë regjistrim dhe një kopje të kërkesës përkatëse të noterit që kërkon të transferohet.
Noterët kanë të drejtën e transferimit të veprimtarisë së tyre në një tjetër juridiksion rrethi gjyqësor në përputhje me radhën e regjistrimit të kërkesave përkatëse të transferimit për atë
juridiksion, që rezulton nga lista e përmendur në paragrafin e dytë të këtij neni.
Lejimi i një noteri për të transferuar veprimtarinë e vet në juridiksionin e një rrethi tjetër gjyqësor bëhet nga Ministri i Drejtësisë, pasi ka marrë më parë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë për tjetër transferim. Dhoma Kombëtare e Noterisë duhet të japë mendimin e saj me shkrim brenda 15 ditëve nga data e shpalljes në Fletoren Zyrtare të vendit vakant të noterit në atë juridiksion.
Ministri i Drejtësisë lejon transferimin e veprimtarisë së një noteri jo më vonë se 30 ditë nga data e shpalljes në Fletoren Zyrtare të vendit vakant të noterit në atë juridiksion.
Në asnjë rast transferimet nuk mund të përbëjnë më shumë se 50 për qind të vendeve vakante për çdo dhomë noterie.
Noteri i transferuar duhet të fillojë ushtrimin e veprimtarisë noteriale në rrethin gjyqësor ku është transferuar jo më vonë se 60 ditë nga data e daljes së urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për transferimin e tij. Me kalimin e këtij afati, noterit të transferuar i hiqet leja për ushtrimin e profesionit të noterit.
Neni 3/ç bëhet
Transferimi i noterit nga një njësi vendore në një tjetër bëhet në bazë të kërkesës të noterit, që kërkon të transferohet. Kriteret dhe procedurat e transferimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës së noterit, duhet të shprehet për kërkesën e këtij të fundit. Në rast se ministri i Drejtësisë nuk shprehet brenda këtij afati kërkesa e noterit quhet e pranuar.
Në urdhrin e ministrit, që miraton transferimin e noterit, përcaktohen mënyrat e dorëzimit të arkivit së noterit, të krijuar në atë njësi vendore.
Ministri i Drejtësisë nuk e miraton kërkesën për transferimin e noterit, vetëm kur numri total i noterëve në njësinë vendore, ku ai ushtron veprimtarinë noteriale, bie nën minimumin e numrit të noterëve, të miratuar për atë njësi vendore.
Neni 7 ishte
Për shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe të veprimtarisë së noterit, ndaj tyre jepen këto masa disiplinore:
a) vërejtje;
b) gjobë nga 5 000 deri në 50 000 lekë;
c) vërejtje me paralajmërim për heqje të lejes për ushtrimin e profesionit të noterit;
ç) heqje e lejes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit për një periudhë deri në 2 vjet;
d) heqje e lejes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit.
Neni 7 bëhet
Për shkeljet e dispozitave, që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe të veprimtarisë së noterit, jepen masat disiplinore, si më poshtë vijon:
a) Paralajmërim me shkrim, për heqje të lejes;
b) Gjobë deri në 3 milionë lekë;
c) Pezullim të lejes së ushtrimit të profesionit, për një periudhë nga jo më pak se gjashtë muaj deri në dy vjet;
ç) Heqje të lejes së ushtrimit të profesionit.
Masat disiplinore jepen, si rregull, në mënyrë të shkallëzuar, sipas llojit të shkeljes dhe në bazë të rëndësisë së shkeljes, dëmit të shkaktuar dhe shkallës së fajit.
Masat disiplinore jepen sipas një procedure, që garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve dhe për t’u mbrojtur.
Neni 16, paragrafi 1 ishte
Numri i përgjithshëm i noterëve që ushtrojnë veprimtarinë tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të jetë në përpjesëtim të arsyeshëm me numrin e përgjithshëm të popullsisë.
Ministri i Drejtësisë, në bazë të numrit të popullsisë dhe të vëllimit të punës së veprimtarisë noteriale, pasi të këtë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë, cakton çdo dy vjet numrin e përgjithshëm të noterëve për çdo rreth gjyqësor, si dhe mbulimin përkatës për çdo bashki së bashku me komunat pranë saj.
Neni 16 paragrafi 1 bëhet
Ministri i Drejtësisë organizon provimin për noterinë. Numri i përgjithshëm i noterëve është i pakufizuar dhe profesionin e noterit ka të drejtë ta ushtrojë çdo shtetas, që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenin 2, të këtij ligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›