Tadiç: Kosova të ndahet, nëse dështojnë opsionet e tjera
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se ekziston mundësia e ndarjes së Kosovës, mirëpo vetëm nëse dështojnë të gjitha opsionet tjera që lidhen me statusin e Kosovës. Në një intervistë për televizionin publik serb, RTS, Tadiç ka thënë se, për momentin, ndarja e Kosovës nuk është në “rend të ditës” dhe se Beogradi ende dëshiron të kërkojë një zgjidhje në kuadër të konceptit të vetëqeverisjes më të madhe të mundshme për Kosovën brenda Serbisë.
“Jam i gatshëm të mendoj edhe për këtë opsion, nëse dështojmë me të gjitha mundësitë e tjera e që janë të shumta. Ka ende shumë mundësi të gjejmë një zgjidhje në kuadër të termit ‘autonomi substanciale’. Mirëpo, nëse dështojnë të gjitha mundësitë, atëherë mund të kalojmë në këtë opsion”, - ka thënë Tadiç.
Ai po ashtu është shprehur se në kuadër të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës “të gjitha iniciativat janë legjitime” dhe se “çdo gjë është më e mirë se situata kur njëra palë i ka humbur të gjitha”.
Kosova hedh poshtë idenë e ndarjes
Autoritetet në Prishtinë kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se Kosova është një tërësi territoriale dhe ndarja nuk është opsion.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, i ka thënë BBC, se çështja e statusit të Kosovës është një çështje e mbyllur. “Kosova tashmë është shtet sovran dhe i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht, i njohur në gjithë territorin e saj”, - tha zoti Manaj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës po fliste pas një deklarimi të presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në median serbe se është i gatshëm të mendojë edhe për opsionin e ndarjes së Kosovës në vija etnike, në rast se shterojnë të gjitha opsionet e tjera. Është iluzion apo utopi të hapet çështja e Kosovës, apo eventualisht ndarja e saj.
Zoti Tadiç tha se ka ende mundësi që të gjendet një zgjidhje për Kosovën, sipas formulës serbe për një autonomi thelbësore.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Manaj, the se ndarja e Kosovës “nuk do të jetë e pranueshme në asnjë variant dhe për asnjë çmim”. “Duket se Tadiç dhe udhëheqja politike e Serbisë përpiqen që në vazhdimësi ta mbajnë të hapur çështjen e Kosovës, dhe kjo për konsumin e tyre të brendshëm”, - tha ai. “Kjo për të justifikuar përpjekjet dhe përkushtimin në thonjëza të tyre për Kosovën”, - tha zoti Manaj, duke shtuar se Kosova po punon për t'u integruar në botë dhe Bashkimin Evropian.
“Çështjen e ndarjes së Kosovës, Serbia mund ta hapë vetëm me vetveten, kjo çështje nuk mund të hapet më, përderisa Kosovën e kanë njohur një numër i madh i shtetesh dhe ky proces i njohjes po vazhdon ende. “Është iluzion apo utopi të hapet çështja e Kosovës, apo eventualisht ndarja e saj”, - tha zoti Manaj.
Kundër ndarjes së Kosovës janë shprehur edhe presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi.
Ata, duke komentuar një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizës, për rrezikun e ndarjes faktike të Kosovës, kanë thënë se kjo nuk do të ndodhë kurrë.
Presidenti Sejdiu, pas kthimit nga Nju-Jorku, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të frikësohet për të ardhmen e saj, sepse ajo ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare.