E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: “Ndikimi i krizës në rritje, qeveria të rishikojë prioritet”

Banka Qendrore i bënë apel qeverisë të rishikojë shpenzimet. Këshilli Mbikqyrës konstaton probleme në financimin e deficitit

Ervin KOÇI

Banka e Shqipërisë nisur nga situata e vështirësuar ekonomike në vend, sidomos gjatë muajve të fundit, si dhe duke parë thellimin e borxheve dhe deficitit tregtart, i ka bërë apel qeverisë që të marrë masa të menjëherëshme. Nisur dhe nga evidentimet më të fundit të realizuara prej specialistëve të saj në teren, BSH-ja i kërkon qeverisë që të rishikojë shpenzimet e planifikuara, pasi kriza ekonomike globale po ndikon në uljen e të ardhurave në buxhet. Një situatë kjo që do të krijojë probleme në financimin e deficitit buxhetor. Sipas BSH-së, “zhvillimet fiskale gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2009 kanë qenë përgjithësisht brenda kuadrit buxhetor për vitin. Politika fiskale është karakterizuar nga rritja e shpejtë e shpenzimeve kapitale dhe nga nivele të kontrolluara të deficitit buxhetor. Gjatë 3-mujorit të parë, ky deficit është financuar kryesisht nga të ardhurat e privatizimit. Shtrëngimi i kushteve të likuiditetit në sistemin bankar është reflektuar në hezitimin e bankave për financimin e nevojave të qeverisë për fonde dhe rritjen e kostos të këtij financimi. Në kushtet e rreziqeve të mundshme fiskale në horizontin afatshkurtër, shtrëngimi i kushteve të financimit krijon vështirësi në financimin e deficitit buxhetor të planifikuar”. Për këtë qëllim, BSH-ja gjykon si të domosdoshëm rishikimin e shpenzimeve të planifikuara duke bërë korrigjimet e duhura sipas prioriteteve.

Efektet e krizës

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore ka analizuar ecurinë e deritanishme të ekonomisë, ku ka evidentuar shkallën e lartë të ndikimit zinxhir të efekteve të krizës globale në të. Efektet e krizës botërore janë reflektuar në ngadalësimin e shkëmbimeve tregtare të vendit tonë me botën, si dhe në tkurrjen e mëtejshme të kreditimit të ekonomisë. BSH-ja ka vënë në dukje se sistemi bankar vazhdon të zbatojë politika të kujdesshme në kreditimin e bizneseve dhe individëve. Por bankat kanë mbajtur të pandryshuara interesa e kredive dhe kanë aplikuar interesa të larta për depozitat, duke synuar përmirësimin e situatës së tyre të likuiditetit. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së njofton se gjatë periudhës në vijim, do të rritet mbikëqyrja mbi ekonominë, me qëllim që të ndërhyet në kohë ndaj çdo rreziku të mundshëm. Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Fullani i ka bërë thirrje qeverisë të rishikojë shpenzimet duke theksuar se ekzistojnë probleme në financimin e deficitit.

Rënia e likujditeve

Si pasojë e uljes së likuiditetit të sistemit bankar, ritmet vjetore të zgjerimit të aktivitetit kreditues janë pakësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2009. E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua më tej, duke arritur në 29 për qind në muajin shkurt. Ndonëse ngadalësimi i aktivitetit kreditues i shërben qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm valutor të vendit, zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Për këtë arsye, BSH-ja është duke furnizuar me likuiditetin e nevojshëm sistemin bankar dhe duke punuar me të për kontrollin e elementeve të kredisë që nuk kanë lidhje me koston, por që ndikojnë ecurinë e saj.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›