Veliaj në Lazarat: “Nuk mund të ketë më Shqipëri të ndarë në bastione”
Erion Veliaj dhe aktivistë të G99-s zhvilluan një takim në Lazarat me banorët e këtij fshati, ku prezantoi kandidatin për deputet për qarkun e Gjirokastrës, Orgen Hasanbega. Veliaj theksoi se është qesharake ta ndash sot Shqipërinë në bastione dhe është qesharake t’u thuash njerëzve që në Lazarat s’mund të shkosh se është bastion i Sali Berishës. “I gjithë koncepti që paska ca vende në Shqipëri ku mund të shkosh, e ca vende të tjera ku nuk mund të shkosh sepse janë bastione të të tjerëve, është një koncept demode dhe po na bën qesharakë”, - tha drejtuesi i G99-s në Lazarat. Duke prezantuar kandidatin për deputet të G99-s në qarkun e Gjirokastrës, Orgen Hasanbega, Veliaj kërkoi që bashkë me qytetarët tashmë të lodhur nga kjo politikë e bastioneve, të bëhet një pakt: “Nëse ne bëjmë bashkërisht një pakt me njëri-tjetrin, ose do të ngrihemi bashkë, ose do të lejojmë akoma të na rrëzojnë”, - tha ai.
1 Maj 2009