KQZ-ja regjistron tri parti të tjera për zgjedhjet e qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zyrtarizoi regjistrimin e tri partive të tjera, të cilat do të konkurrojnë në zgjedhjet e qershorit. Partitë, të cilat u regjistruan dje, janë: Partia Konservatore, Partia Balli Kombëtar dhe Partia më e re, G99-a. Anëtarët e KQZ-së nuk e pranuan kërkesën e Partisë Emigracioni Shqiptar. Shkaku i përjashtimit të kësaj force politike nga zgjedhjet e 28 qershorit ishte pretendimi lidhur me kryetarin e kësaj partie. Kosta Papa, që kishte bërë kërkesën, pretendonte se ishte kryetar, ndërkohë që Gjykata e Apelit nuk e njeh si të tillë. Si përfundim, në zgjedhjet e ardhshme për Parlament do të konkurrojnë 45 parti.
Institucioni i KQZ-së miratoi edhe vulën e re të KZAZ-së së Bulqizës. Pak kohë më parë sekretari i KZAZ-së deklaroi se i kishte humbur vula e kësaj KZAZ-je. KQZ-ja përcaktoi edhe vendet e numërimit të votave dhe miratoi zëvendësimin e kryetarëve dhe sekretarëve të disa KZAZ-ve.
1 Maj 2009