Pushteti vendor tani me buxhet afatmesëm për të ardhurat dhe shpenzimet
“Projekti për buxhetimin afatmesëm të njësive të qeverisjes vendore, që mbështetet nga USAID-i, synon ngritjen për herë të parë të një themeli procedural, që do të lidhë më mirë buxhetet afatmesme lokale me politikat e zhvillimit dhe objektivat prioritare për këtë periudhë”. Kështu ka deklaruar dje zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, gjatë seminarit të organizuar nga Ministria e Financave dhe Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara “USAID”. Në qendër të këtij aktiviteti ishte dhënia e njohurisë për përmirësimin e procesit të parashikimit të të ardhurave dhe menaxhimit të shpenzimeve publike, përmes buxhetit afatmesëm nga njësitë e pushtetit vendor. Duke vlerësuar rëndësinë e përgatitjes së programeve buxhetore afatmesme për qeverisjet vendore si dhe vështirësitë që mund të ndeshen nga ekspertët e financave dhe punonjës te tjerë të administratës vendore, të cilët do të merren direkt me përgatitjen e tyre, ekspertë të Ministrisë se Financave dhe USAID-it shpjeguan detajet për hartimin e tyre. Shehu vlerësoi si një element tjetër të rëndësishëm, performancën e vetë njësive të qeverisjes vendore. "Nëse njësitë e qeverisjes vendore arrijnë të hartojnë në kohë programet buxhetore afatmesme, do të përfitojnë më tepër fonde, por nëse nuk do t'i realizojnë ndaj tyre do të ketë penalizime",- tha më tej Shehu. Drejtori i Programit të Qeverisjes Vendore në Shqipëri (LGPA) i USAID-it, David Smith, theksoi rëndësinë që ka përgatitja e programit buxhetor afatmesëm nga pushteti lokal, pasi ato njohin më mirë territorin ku do të realizohen programet buxhetore afatmesme. "Rritja e të ardhurave nga një menaxhim më i mirë i aseteve si dhe mbledhja e tatimeve dhe taksave, do t'u mundësojë bashkive që të përmirësojnë cilësinë dhe eficiencën e shërbimeve të ofruara qytetarëve dhe bizneseve",- deklaroi Smith. Programi i Qeverisjes Vendore në Shqipëri i USAID-it punon me dhjetë bashki në të gjithë Shqipërinë. Ai synon që të mbështesë zhvillimin e ekonomive vendore, përmirësimin e qeverisjes dhe të forcojë pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe sektorit privat në zhvillimin vendor.
Konsumi i mishit, çdo vit konsumojmë tonelata të tëra që vijnë nga vendet latine
Shqiptarët vazhdojnë të konsumojnë produkte mishi importi në sasi të konsiderueshme. Edhe pse me një rënie të vogël nga viti 2007, importi i produkteve shtazore dhe i kafshëve të gjalla rezultoi në shifra të larta, deri në rreth 90 mijë tonë. Për të gjithë vitin 2008 janë shpenzuar për mish importi rreth 130 milionë dollarë. Statistikat nga doganat tregojnë që mishi dhe produktet e tij vijnë kryesisht nga vendet latine, si Brazili, Argjentina, Kili dhe Uruguai. Me këto vende, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pasur probleme të shumta rreth sigurisë ushqimore. Në disa raste, Ministria e Bujqësisë ka ndaluar sasi të konsiderueshme produktesh mishi që vijnë nga vendet latine, si pasojë e mungesës së standardeve. Pesha e importit të produkteve të mishit në totalin e importit është rreth 3 për qind, kurse rritja e aktivitetit në 2008-ën ishte rreth 5 për qind. Në raport me eksportet, importi i mishit, produkteve, kafshëve të gjalla dhe dhjamit është tepër i madh. Nga vendet latine blejmë mish në vlera që shkojnë në 30 milionë dollarë në vit. Burime nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë se çmimi për një kg mish varjon në varësi të cilësisë. Më së shumti, dhjami dhe mbetjet e produkteve të mishit futen në kategorinë e tretë dhe blihen për 0.9 dollarë për kilogram. Mësohet se sasia prej rreth 400 tonë dhjam cilësi e tretë hyn në çdo muaj në Shqipëri, si lëndë e parë për përpunimin e produkteve ushqimore (sallamet). Tregtia kryhet me disa vende ku qeveria nuk ka një marrëveshje tregtare, si Brazili, Kili, Uruguai apo Zelanda e Re. Shumë tregtarë, nisur nga çmimi tepër i ulët, kanë marrë guximin për të blerë produkte mishi në vende latine, madje përtej oqeanit Indian, në sasi deri në 30-40 mijë tonë. Ekspertët vendas të sektorit kanë ngritur disa herë alarmin për marrjen e masave që parandalojnë futjen e mishit nga çdo cep i botës, por Ministria e Bujqësisë garanton se, pavarësisht cilësisë, malli nuk rrezikon jetën e njeriut.
1 Maj 2009