LSI-ja afron në koalicionin e saj Partinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi dje Marrëveshjen për Koalicion me Partinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve për zgjedhjet e 28 qershorit. Këtë marrëveshje e firmosën lideri i LSI-së, Ilir Meta, si dhe kryetari i Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Ymer Kurti. Pas ceremonisë së nënshkrimit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se LSI-ja ka insistuar gjithnjë për të drejtën e votës së emigrantëve, aty ku ata punojnë dhe jetojnë. Meta tha se LSI-ja do të angazhohet pas zgjedhjeve të 28 qershorit për njohjen e të gjitha sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të emigrantëve shqiptarë.
“Vetëm atëherë kur Parlamenti i Shqipërisë do të njohë të drejtën e votës të shqiptarëve që jetojnë sot jashtë, atje ku ata jetojnë padyshim që Shqipëria do të jetë më e bashkuar, por natyrisht që ne do të nxjerrim nga zgjedhjet parlamentare dhe Qeveri që do të kujdesen me përkushtim dhe në mënyrë të pandërprerë për të drejtat e të gjithë shqiptarëve që sot jetojnë jashtë dhe që kanë kontributin kryesor për mbarëvajtjen, jo vetëm të ekonomisë shqiptare në tërësi, por në veçanti për shumicën e familjeve tona anembanë vendit. Gjithashtu ne do të bëjmë gjithçka për të njohur të gjitha sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe të gjitha llojet e tjera të sigurimeve të vëllezërve dhe motrave tanë emigrantë, që janë jashtë. Dhe njëkohësisht që të favorizojmë investimet e tyre në vendin tonë”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Blushi, Majko dhe Dalipi, takime me emigrantët shqiptarë në Greqi
Deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi, Pandeli Majko e Alfred Dalipi, kanë zhvilluar me emigrantët shqiptarë një takim në Veria të Greqisë. Deputetët socialistë janë shoqëruar dhe mbështetur në takimet e tyre dhe nga homologët helenë të PASOK-ut, si dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur lokalë. “Një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Europës i duhet të garantojë qindra mijëra qytetarëve të vet, që jetojnë si emigrantë në kufij me vendin ku kanë lindur, të drejtën e votës”. Ky ka qenë mesazhi i dhënë në takim nga deputetët Majko dhe Dalipi. Ata u bënë apel emigrantëve që më 28 qershor të vijnë në Shqipëri dhe të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Duke folur në takim, deputeti Ben Blushi theksoi se duhet edhe vullneti i emigrantëve për të ndryshuar të ardhmen e vendit më 28 qershor. “Ju keni ikur nga mungesa e shpresës. Kemi një shans në 28 qershor që t’u rikthejmë shqiptarëve shpresën dhe këtë nuk mund ta bëjmë dot pa ju. Ne kemi në dorë që me votën tonë në datën 28 qershor ta ndryshojmë qeverinë e Shqipërisë. Të ndryshojmë qeverinë e Shqipërisë për të sjellë në pushtet një qeveri më të mirë, e cila na i garanton të gjitha këto dhe në radhë të parë na garanton Europën. Ju falënderoj për këtë pritje masive dhe entuziaste dhe ju ftoj që më 28 qershor të vini në Librazhd, Shkodër, Devoll apo Korçë, për të ndryshuar qeverinë e Shqipërisë, për të ndryshuar të ardhmen tonë të përbashkët”, - tha Blushi.
1 Maj 2009