E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Durrës-Kukës”, Lulzim Basha merret i pandehur

Gjykata e Lartë: Vendimet e Fatmira Hajdarit dhe të Pajtim Hoxhës, absolutisht të pavlefshme. Fati i dosjes në dorën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë

Laureta Rryçi

Tiranë - Dosja “Durrës-Kukës” mori dje një tjetër kuptim ligjor. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë i cilësoi absolutisht të pavlefshme vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit. Pasi çështja kaloi për më shumë se pesë muaj nëpër të gjitha shkallët e Gjyqësorit, kryeprokurorja Ina Rama ka ndier dje triumfin, ndërsa i ka lënë shijen e hidhur të humbjes ministrit Lulzim Basha. Përballë një situate ligjore të pazakontë mësohet se kolegji penal për çështjen në fjalë është ndarë në 3 me 2. Për më shumë se një orë relatori i çështjes, Andi Çeliku, lexoi vendimin e argumentuar mbi rekursin e Prokurorisë. Çeliku shpjegoi se në rastin në fjalë, kolegji penal gjendet përballë faktit që Gjykata e Lartë është shprehur vetëm pak ditë më parë për ta pushuar dosjen që po gjykohej në themel. Ky vendim e kushtëzoi kolegjin e djeshëm penal për të vendosur pushimin e çështjes mbi rekursin e Prokurorisë me gjithë konstatimin për pavlefshmërinë e vendimeve të dhëna nga dy shkallët e Gjyqësorit.
Vendimi
Gjykata e Lartë çmoi në një vendim publik mbi dosjen ku ishte i pandehur ministri Basha se Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit nuk duhet të kishin gjykuar kërkesën e tij. Sipas kolegjit penal, këto dy gjykata kanë qenë jo kompetente për të gjykuar kërkesën e Bashës për shkak të detyrës që ai kishte si në momentin kur kanë nisur hetimet, ashtu edhe në çastin kur ai është cilësuar i pandehur. Kolegji penal çmoi se të dyja këto gjykata kanë shkelur ligjet kushtetuese duke gjykuar çështje, të cilat nuk iu takonin, duke cenuar kështu edhe parimet për Prokurorinë. Në vendimin e djeshëm kolegji kishte theksuar dy shkelje konkrete mbi vendimin që ishte dhënë pro kërkesës së ministrit Basha. E para kishte të bënte me statusin e tij si deputet dhe e dyta me faktin se këto gjykata nuk mund të gjykonin mbi vlefshmërinë absolute të akteve kur dosja ishte ende në fazën e hetimeve.
Pasojat
Pas vendimit të djeshëm i takon institucionit të akuzës të ndërmarrë një nismë të fundit për këtë dosje. Nëpërmjet një kërkese zyrtare Prokurorisë i lind e drejta t’u drejtohet Kolegjeve të Bashkuara (që përbëhet nga 16 gjyqtarë) të Gjykatës së Lartë, të vendosë për rishikimin e vendimit të pushimit të çështjes në themel. Nëse ky kolegj do ta pranojë këtë kërkesës, atëherë procesi ndaj dosjes “Durrës – Kukës” do rihapet. Nëse ndodh kjo, atëherë ministrit Lulzim Basha i lind përgjegjësia të tregojë pafajësinë e tij mbi akuzat e ngritura. Në të kundërt, pra nëse Prokuroria nuk ndërmerr nisma, atëherë kjo dosje pushohet njëherë e përgjithmonë.

Vendimi që e pushoi çështjen në themel

Kolegji penal i Gjykatës së Lartë i cilësoi më 9 prill të këtij viti të pavlefshme nga ana procedurale të gjitha veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme, të kryera pas përfundimit të afatit ligjor të hetimit, që ishte 6 nëntori 2008. Kolegji Penal pushoi çështjen me vendim të formës së prerë duke argumentuar me termin “pavlefshmëri absolute" edhe dërgimin e kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë. Vendimi vijon me tej edhe me pavlefshmëri të dërgimit të fletë-thirrjes nga ana e prokurorëve ndaj Lulzim Bashës. Duke gjykuar kështu, kolegji madje deklaroi se ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i është shkelur e drejta kushtetuese për t’u njohur me aktet, duke e penguar atë që të përgatitej për t’u mbrojtur. Gjykatësit argumentuan madje se e pavlefshme është edhe akuza e pabarazisë në tendera për dy të pandehurit, Lulzim Basha dhe Andi Toma, pasi akuza është ngritur jashtë afateve hetimore. Gjykata pohoi se e gjen të pajustifikuar vakuumin e kohës prej gati një viti, gjatë të cilit Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit dhe më pas njoftoi akuzën. Në këtë mënyrë Gjykata e Lartë i ka dhënë fund të gjithë odisesë së hetimit për një nga çështjet më të përfolura të qeverisjes së demokratëve, atë të abuzimeve me tenderin e segmentit rrugor “Durrës-Kukës”.
Pak ditë më parë, i njëjti vendim ishte marrë edhe për ish-drejtoreshën e Përgjithshme të Rrugëve, e gjendur me të njëjtën akuzën me Bashën. Ministri i Jashtëm ka dalë i qetë nga selia e Gjykatës e Lartë. “Me vendimin e gjykatës merr fund komploti ndaj aksit ‘Durrës-Kukës’. Kjo është dita e vajtimit të komplotistëve kundër rrugës Durrës-Kukës”, - tha ministri pak çaste para se të largohej përfundimisht nga Gjykata.

Konkluzione të Prokurorisë mbi dosjen

9 mars 2007
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar kryesisht Procedimin Penal Nr. 893 për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim, veprën penale të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe që bën fjalë për shkelje të kryera nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit gjatë financimeve të kryera për ndërtimin e rrugëve të ndryshme kombëtare me fonde publike dhe në mënyrë të veçantë për fondet e përdorura në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash.

27 shtator 2007
Është vendosur regjistrimi i emrit të shtetasit Lulzim Basha në Regjistrin e Procedimeve Penale pranë zyrës së prokurorit të Përgjithshëm.

15 tetor 2007
Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë autorizim për procedim penal ndaj deputetit Lulzim Basha. Me Vendimin Nr. 152, datë 27.12.2007, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur “dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Lulzim Basha, kërkuar nga prokurori i Përgjithshëm”.
Vepra penale e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal është kryer nga të pandehurit Lulzim Basha dhe Andi Toma gjatë procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e shoqërisë konsulente “Ecorys Group”.
Veprimet e kryera nga shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma janë në kundërshtim dhe me Nenin 7/1 të Ligjit Nr. 7971, datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, i cili thotë: “Enti prokurues është përgjegjës për prokurimin me fonde publike që i vihen në dispozicion, duke iu nënshtruar dispozitave të këtij ligji dhe çdo kushti tjetër që përfshihet në rregullat e prokurimit dhe udhëzimet e Agjencisë së Prokurimit Publik”.

“Mungesat” e Bashës për të penguar hetimin

Që në krye të herës së hetimit të tij Lulzim Basha ka refuzuar bashkëpunimin në kohë reale me organet e Drejtësisë. Porsa Prokuroria e Tiranës nisi çështjen për tenderimin e rrugës, Basha ofroi “mbështetjen e tij dhe të Ministrisë për çdo dokumentacion të nevojshëm”, por kur pas shqyrtimit të dokumentacionit prokurorët e Tiranës deshën ta merrnin në pyetje, Basha doli para kamerave dhe e quajti Prokurorinë si “politike dhe nën urdhrat e verbër e të njëanshëm të Theodhori Sollakut”. Më vonë, pas emërimit të Ina Ramës në krye të organit të akuzës, Basha shkoi vetë në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, por përsëri këtë gjë vetëm një herë, pasi mbyllja e hetimeve e gjeti atë fajtor dhe ministri i Jashtëm nuk denjoi të paraqitej për të marrë akuzën që i kishin veshur prokurorët e çështjes. Por Basha nuk u mjaftua vetëm me injorimin e organit të akuzës. Ai, nga ana tjetër, nxiti dhe mbështeti një proces gjyqësor paralel, që synonte pavlefshmërinë e procedurës së ndjekur nga prokurorët për shpalljen e tij si të pandehur. Basha dërgoi avokatin e tij, Zef Nikaj, në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa ky i fundit bëri me dije pasi doli nga Prokuroria se i kishte konsideruar si të jashtëligjshëm dhe të pavlefshëm aktin e shpalljes së Bashës si të pandehur. Ky refuzim i Bashës për t’u paraqitur para prokurorit shënon numrin tre të refuzimeve të tij, ndërsa dy herë të tjera Basha nuk u paraqit në Prokurorinë e Tiranës kur për të njëjtën çështje e thirri edhe prokurori Ervin Karanxha.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›