BSH: Në 2007-n, prurjet e emigrantëve 1 miliard euro”
Prurjet nga emigrantët, të shoqëruar edhe nga transferta të tjera private dhe shtetërore, kanë regjistruar sasinë e 1 miliard eurove për vitin 2007. Lajmin e bënë të ditur Banka e Shqipërisë, e cila prej kohësh monitoron nivelin e prurjeve të parave nga emigrantët drejt vendit tonë. Sipas BSH-së, transfertat korente si çdo vit marrin formë prej prurjeve nga emigrantët. Këta të fundit përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të deficitit në tregti mallrash dhe shërbimesh. Gjatë vitit 2007 kontributi i këtyre dërgesave ka ndikuar në zbutjen e deficitit tregtar në rreth 44 për qind. Ndërsa investimet e huaja direkte gjatë vitit 2007 arritën në 463 milionë euro, me një rritje vjetore prej 205 milionë eurosh kundrejt një viti më parë, pra 2006-s. Sipas BSH-së, kjo rritje ka ardhur veçanërisht nga investimet në fushën e komunikacionit, rezultat kryesisht i procesit të privatizimit, si dhe rritjes së pranisë së kapitalit të huaj në sektorin financiar të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu shërbimi i borxhit të jashtëm për vitin 2007 është reduktuar me rreth 54 milionë euro, duke përfaqësuar vetëm 7 për qind të eksporteve, që tregon për një aftësi paguese brenda niveleve të pranuara, bënë të ditur BSH-ja.
22 Prill 2008