KESH-i fillon remontin e linjës së interkonjeksionit Zemblak-Kardia
Operatori i Sistemit të Transmetimit në KESH ka filluar dje remontin në linjën e interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri-Greqi. Si pasojë e punimeve, sistemi elektroenergjetik do të përballet me ulje të sigurisë së punës dhe nivelit të tensionit. Operatori i Sistemit të Transmetimit ka njoftuar se kalimi në remont i kësaj linje mund të sjellë kufizime të energjisë elektrike kryesisht në orët e pikut, ku dhe ngarkesa në rrjet është më e madhe. Remonti ka nisur dje dhe do të zgjasë deri ditën e shtunë. Sipas OST-së, punimet në linjën 400 kV, Zemblak–Kardia (në Greqi), bëhen në bazë të grafikut të remonteve, në bashkëpunim edhe me vendet e tjera të rajonit. Kjo me qëllim ruajtjen dhe rritjen e sigurisë së punës në rrjetin transmetues gjatë periudhës së verës.
Biznesi shqiptaro-kroat, dy projekte për transportin
Shqipëria dhe Kroacia do të lidhen së shpejti me një linjë ajrore, Zagreb-Tiranë që do të shkurtojë në 45 minuta distancën mes dy vendeve, si dhe me një linjë detare Rjekë-Durrës. Janë këto dy projektet ambicioze të bëra publike në forumin ekonomik shqiptaro-kroat, që qeveritë e të dyja vendeve synojnë të realizojnë për të zhvilluar marrëdhëniet tregtare mes tyre. Sipas presidentit shqiptar, Bamir Topi, projektet e mësipërme në transportin ajror dhe detar do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik mes të dyja vendeve. Shqipëria dhe Kroacia kanë marrëdhënie të zhvilluara në fushën e tregtisë së jashtme, për shkak edhe të marrëveshjes së liberalizimit të tregjeve që ka hyrë në fuqi tashmë prej disa vitesh. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në fund të vitit 2007 shkëmbimet tregtare mes tyre kapin vlerën e 43 milionë dollarëve, duke shënuar një rritje prej 13.9 për qind kundrejt një viti më parë. Por nga kjo tregti vendi ynë ka dalë me humbje, pasi deficiti tregtar me këtë vend llogaritet në 40.9 milionë dollarë.
22 Prill 2008