KESH-i, 11 milionë USD investime në Kamëz dhe Bathore
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur dje investimet në Kamëz dhe Bathore për vendosjen e rrjetit të tensionit të ulët, investim që kap shifrën e rreth 11 milionë dollarëve. Ky investim i pari në Bathore dhe Kamëz nga ana e KESH-it, do të mundësojë vendosjen e 20 kabinave elektrike si dhe rrjetit me tension të ulët e të mesëm, i cili përbën një teknologji bashkëkohore në këtë drejtim. Investimi i nisur do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vazhdim për lagjen ku po punohet aktualisht dhe më pas do të shtrihet në të gjithë këtë bashki. Kjo do të shoqërohet edhe me kontrollin dhe montimin e matësve të energjisë tek subjektet dhe familjarët në këtë zonë e njohur për nivelin e lartë të mospagimit të energjisë ndër vite. Rrjeti i ri që do të realizohet do të jetë një rrjet i veshur “ABC kabllor”, që do ta bëjë të pamundur ndërhyrjen e banorëve në rrjet. Gjatë ditës së djeshme kur nisi ky investim, njëkohësisht vijoi edhe puna për prerjen e lidhjeve të paligjshme në Bathore. I pranishëm në nisjen e projektit ishte dhe kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i cili u shpreh se “një projekt i tillë do të shoqërohet me përmirësimin e cilësisë së shërbimit por edhe me një mbikëqyrje më të rreptë ndaj debive”. Aktualisht në këtë zonë numërohen 4.500 abonentë, ndërsa arkëtimet janë vetëm 20 për qind.
22 Prill 2008