E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: ”Zonat në të gjithë vendin ku do të legalizohen 200 mijë ndërtime”

Intervistë me zëvendësdrejtorin e ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu: “Lejet brenda pak ditësh”

Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht për të marrë lejen e legalizimit. Ndryshimet ligjore që miratoi Kuvendi pak ditë më parë do të jenë edhe çelësi i kësaj shpejtësie. Agjencia e Legalizimit është në pritje të hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, të cilat tashmë janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe brenda pak ditësh fillon forca e tyre ligjore. Ligji i ri do të bëjë të munduar që Agjencia e Legalizimit të marrë fuqi ekzekutive, gjë që do të lejojë shpejtësi dhe duke parë që ligjit i duhen pak ditë që të hyjë në fuqi, po kaq kohë duhet edhe për dhënien e lejeve të para. Tashmë janë 200 mijë ndërtime informale në mbarë vendin, të cilat janë gati që të legalizohen. Zëvendësdrejtori i ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu, në një bisedë për gazetën “Albania” flet për të gjithë procesin që ka ndodhur, punën në terren, dokumentacionin e përfunduar, informacionin e grumbulluar si dhe çfarë pritet të ndodhë ditën në vijim. Njëkohësisht numri dy i ALUIZNI-t flet për të gjitha procedurat ligjore dhe për afatet. Shehu shpjegon me detaje për ligjin e ri, për kompensimin e ish-pronarëve, tarifat, si dhe kush përkrahet nga ligji për të marrë lejen e shumëpritur të legalizimit.

KRRTRSH miratoi të premten 32 zonat e fundit informale. Gjatë kësaj kohe, cila ka qenë në fokusin e ALUIZNI-t si dhe çfarë pritet të bëhet në këtë moment, kur të gjitha zonat janë miratuar?
Të flasësh për legalizimin duhet të flasësh me shifra. Kuptohet që puna matet me shifra të përpunuara. Aktualisht Agjencia ka gati një vit që punon me intensitet duke ditur që dolëm nga disa reforma për konsolidimin e institucioneve që ishin të domosdoshme. Me gjithë problemet arritëm që të evidentojmë zonat informale. Sot ne llogarisim rreth 127 zonat informate, duke futur edhe 32 zonat e fundit informale që u miratuan të premten në KRRTRSH. Këto zona kapin rreth 110 mijë ndërtime informale të ndodhura në këto zona. Kjo punë ka qenë një nga tre drejtimit e punës së Agjencisë. Janë punuar me pallatet me shtesa dhe llogariten rreth 102 pallate me shtesa, të cilat kanë marrë miratimin e Këshillave të Territorit, pra kanë leje, por që për arsyet të ndryshe kishin devijuar dhe ishin jashtë tregut, por që u rifutën. Përveç këtyre, është një numër i madh vendbanimesh dhe bllok-banimesh, të cilat miratohen nga KRRT-të lokale dhe bëhet fjalë për një numër ndërtimesh rreth 30 ose 35 mijë dhe këto vendbanime kanë marrë miratimin përkatës. Janë dhe ndërtimet e veçuara, ose shtesat e pallateve të bëra para vitit ‘93 me lejet e komiteteve ekzekutive. Tashmë janë bërë evidentimet dhe kanë kaluar në Këshillat e Rregullim Territorit. Duke i mbledhur bashkë, duke bërë një shumatore, tashmë ne mund të themi që 200 mijë ndërtime informale kanë marrë vendimin e institucioneve përkatëse, pra ose të KRRT-ve, ose të KRRTRSH-së, në varësi të kompetencave. Pra themi që tashmë 200 mijë ndërtime informale janë të gatshme për dokumentacionin tekniko-ligjor dhe fillojnë zbatimin sipas nenit 27 të ligjit që ka të bëjë me planimetrinë, genplanin etj., për ta bërë dosjen e plotë, për të marrë pastaj lejen e legalizimit, e cila është e shumëpritur. Veç kësaj, rreth një e katërta ose një e pesta e këtyre ndërtimeve informate, rreth 200 mijë, janë përgatitur dokumentacionet tekniko ligjore. Pra janë provuar dokumentacionet përkatëse sipas punës së grupeve në terren. Pra kanë përgatitur planimetritë dhe kanë përfunduar dosjet.

Kuvendi miratoi një ndryshim në ligjin e legalizimeve. Ku konsistojnë këto ndryshime dhe çfarë pritet të lehtësojnë?

Me përgatitjen e këtyre dosjeve kërkohet një numër i madh dokumentesh dhe procedurash. Ishte një burokraci e pafundme, pasi duheshin 74 hapa që një dosje të shkonte deri në KRRTRSH, kur problemi i legalizimit është vetë njësia, pra vetë ndërtimi informal. Në planin tonë është parë të kthehemi nga zonat informale drejt njësisë sepse në fund fare drejt asaj shkohet, njësisë së ndërtimit, objektit dhe parcelës ndërtimore që kërkon ligji. Ky ishte qëllimi që ligji u amendua. Një gjë tjetër është se e gjithë puna dhe ngarkesa është bërë nga administrata e ALUIZNIT-t. Me ligjin e mëparshëm kishim vetëm një ndërmjetës midis qeverisë qendrore dhe njësisë vendore. Normalisht tashmë është kthyer në një organ ekzekutiv, pra ekzekuton vendimet.

Pra, janë shkurtuar burokracitë me ndryshimin e ligjit? Ju përmendët që duheshin 74 hapa deri në miratimin e plotë...

Normalisht që po. Tani shkohet direkt te njësia, genplan, planimetri, pra ato çka duhen. Natyrisht që jo të gjithë që kanë bërë vetëdeklarime do të legalizohen, këtë e parashikon ligji. Ata të cilët plotësojnë kriteret e ligjit dhe në këtë pikë ligji është korrekt. Mjafton që të lexosh ligjin.

Sipas ligjit, kush përjashtohet nga legalizimi, edhe pse ka bërë vetëdeklarimin?

Ligji e ka parashikuar. Ndërtimet informale në zonat e ndotura, ato që janë mbi kolektor, ato që janë mbi oborret e shkollave, ato që janë në zona me rrezikshmëri të lartë, në zonat e mbrojtura me ligj etj. Po të kesh ndërtuar në zonat muzeale, nuk do të tolerohet. Në bazë të informacionit që kemi, nuk të lejon që të gabosh, pasi nga laboratorët tanë do të dalë një informacion i pagabueshëm, që nuk lejon gabime apo spostime në vendndodhje dhe këtë e kemi falë informacionit të siguruar.

Përsa i përket korrektësisë, si do të jetë e mundur që të ketë transparencë kur ALUIZNI do të bëjë edhe verifikim, edhe dhënie pronësie?

Problemi është se kërkohet një saktësi e madhe ligjore, prandaj dhe ne bëmë mendimet. Nuk mund të bëhet sipas qejfit, por vetëm në bazë të ligjeve të dala enkas për legalizimet. Duhet të ketë një transparencë për të thënë se ku jemi dhe ku po shkojmë. Problemi më i madh është i saktësisë, pasi flitet për centimetra, të cilat do të njihen dhe do të hyjnë në treg. Pra për të folur mbi saktësinë mund të them se ky institucion ka arsenalin me inxhinierët teknikë, pastaj është edhe materialet të marra si produkt nga fotografimi ajror të bërë në të gjithë vendin. Përpunimi në laboratorët tonë do të nxjerrë materiale me saktësi të madhe, të cilat do t’i shërbejnë procesit në ato tri kolonat kryesore, edhe në bazë të mbështetjes së ligjit. Vetë teknologjia që do të përdorim do të na krijojë të gjitha resurset që kemi, do të na japë mundësinë. Kurse përsa i përket të tjerave, siç janë tarifat, zhvillimi urban, vlera monetare që do të përfitohet etj., nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Taksat që do të shkonin për baskitë, po prapë bashkive do t’u shkojnë; tarifat për ndikim në infrastrukturë, po qeverisjes vendose do t’i shkojnë. Nga fatura financiare e plotë mbi tokën, 80 për qind do të shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve dhe 20 për qind për zhvillimin urban të zonave informale. Pra një pjesë të kompetencave përsëri i ngelen pushtetin vendor, pasi do të marrë tarifat dhe do të bëjë zhvillimin urban. Kompetencat nga ligji nuk i janë prekur pushtetit vendor. Ndërsa përsa i përket pjesës se mund të abuzohet duke prekur vetëdeklarimet, kjo nuk mund të ndodhë, pasi informacioni është tepër i saktë si manual, ashtu edhe elektronik, gjë që nuk lejon të ndërhyhet. Ligji është tepër i saktë në këtë drejtim.

Përmendët kompensimin e ish-pronarëve, kur edhe ata janë pjesë e procesit. Çfarë është bërë për procedurën që prek ish-pronarët?

Ka një përmirësim të situatës përsa i përket kompensimit të ish-pronarëve. Themi që jemi transparentë dhe me ligjin e ri. Tani fillojmë me dy procese, si ai i legalizimit, ashtu edhe përgatitja e dokumenteve për kompensimin. Pra merret njësia e ndërtimit, e cila është e palegalizuar, kërkohen pronarët e ligjshëm të kësaj zone, pra me emrin dhe me sipërfaqen përkatëse sipas informacionit të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive, ose nga Agjencia e Pronave dhe përgatiten vendimet ku në të njëjtën kohë kur bëhen dokumentet, bëhet edhe vendimi për Këshillin e Ministrave për kompensimin e pronarëve të ligjshëm. Këto janë dy procese që po ecin paralelisht me njëra-tjetrën. Sipas ligjit përcaktohet edhe zhvillimi i zonave urbane, brenda vijave të verdha, aty ku ka studime urbane, ku janë parashikuar ndërtime mbi 5 kate. Pronari i ligjshëm i tokës, që ka parashikuar edhe plani urban i miratuar para hyrjes së fuqi të ligjit më 15 maj 2006, atëherë pronari i ligjshëm me investitorin ndërton sipas planit urbanistik të miratuar dhe ata që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në këtë territor do të trajtohen nga ligji si të pastrehë dhe do të trajtohen nga shteti si të tillë. Pra, po t’i shohësh më gjerë amendimet, u bënë në bazë të eksperiencës së fituar gjatë kësaj kohe. Kjo ishte rruga më e mirë dhe më e shpejtë që prekte si pjesën e legalizimit, ashtu edhe të kompensimit të tokës.

Sipas të dhënave flitet që një e treta e tokës së ndërtimeve informale është e ish-pronarëve. Mendoni se me tarifën e 80 përqindëshit do të sigurohet fatura financiare e plotë?

Besoj se po. Ne flasim me shifra të dhënash të sakta. Tashmë kanë filluar edhe marrëveshjet. Nuk do të jetë vetëm kompensim monetar, por edhe në natyrë. Ligji parashikon brenda vijës së verdhë 300 metra dhe sot një pjesë e mirë ka marrë më shumë se kjo shifër dhe diferenca do të paguhet me vlerë tregu. Shteti të ka ardhur në ndihmë vetëm për 300 metra.

Meqë dolëm te tarifat, sa duhet të paguajë një familje brenda kufirit, pra 300 metra në vijën e verdhë?

Këtë e ka parashikuar saktë vetë ligji. Do të paguajë 400 mijë lekë të vjetër. Ligji i ka përcaktuar të gjitha në bazë të sipërfaqes që ke. Pjesa tjetër do të paguhet me vlerën e tregut. Por ky rregull nuk është vetëm atëherë kur ke zaptuar tokën e ish-pronarëve, por edhe kur ke zaptuar tokën e shtetit. Atëherë këtu është çelësi dhe truku se ku do të gjenden paratë për kompensimin e ish-pronarëve.

Gjithsesi, ka edhe ndërtime informale të bëra jashtë afatit ligjor, që është maji i vitit 2006. Cili do të jetë fati i këtyre ndërtimeve?

Kush ka ndërtuar pas afatit, dhe këtë e kemi thënë shpesh, do të ndeshet me Inspektoratin e Ndërtimit. Njësitë e qeverisjes vendore i kanë të dhënat, por edhe ne mund t’ua japim. Nuk do të jenë objekt i legalizimit objektet të cilat janë ndërtuar jashtë afatit ligjor, që është 15 maji i vitit 2006. Ne e kemi thënë që duhet ta ndajmë Shqipërinë nga informaliteti dhe kjo pikërisht këtë thekson. Prandaj dhe ne morëm edhe teknologjinë e fotografimit ajror, ku kemi fiksuar në çdo detaj territorin e vendit. Askush të mos e gënjejë mendjen se mund të bëjë ndërtime që mund t’i legalizojë, pasi kjo është e pamundur. Gjej rastin të them se ndërtimet që janë bërë jashtë afatit do të ndeshen me Inspektoratin e Ndërtimeve.

Duke parë ecurinë e procesit dhe punës që është bërë në terren me grupet e punës, kur do të fillohet me dhënien e lejeve të legalizimeve?

Kjo do të ndodhë shumë shpejt, besoj se brenda pak ditësh, por di të them me saktësi që brenda mandatit të qeverisjes i gjithë procesi do të përfundojë. Kush do të jetë pa probleme dhe pa konflikte, të cilët nuk kanë probleme me pronësinë si kalime etj., procesi do të jetë shumë i shpejtë.

Thatë pak më parë se rreth një e pesta e punës ka mbaruar në terren. Kur do të mbarojë e gjitha puna në terren?

Nuk është vetëm ky si proces ose punë, pasi ne po punojmë vetëm me 200 mijë ndërtime aktualisht, por ka edhe të tjera ndërtime të tjera informale që po punojmë. Agjencia ka parashikuar edhe skemën për ta përballuar, duke rritur burimet njerëzore me inxhinierë të specializuar.

Atëherë, duke parë punën, kur do të fillojë dhënia e lejes së legalizimit?

Do të jetë në një kohë rekord. Sapo të hyjë ligji i ri në fuqi, ne do të fillojmë të implementojmë direkt dhënien e lejeve të legalizimit. Punë ditësh. Tashmë ka ikur kurioziteti i madh. Tashmë kemi kaluar nga punë muajsh në punë ditësh. Tashmë ka filluar numërimi së prapthi.

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›