E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat në valutë, luhatjet e kursit humbasin 8 miliardë lekë në vit

Sipas BSH-së, shqiptarët mbajnë depozita të larta në monedhë të huaj. Kredia në valutë dominon portofolin e kredisë me 72.3 për qind të totalit

Ervin Koçi

Shqiptarët humbasin sasi të mëdha parash nga marrja e kredive bankare në valutë, por edhe nga depozitat e tyre në monedhë të huaj. Kjo për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit mes monedhës vendase “Lek”-ut dhe valutave të huaja, por edhe për shkak të luhatjeve valutore në tregun ndërkombëtar. Një gjë e tillë bën që sasia e parave që i humbet shtetasve shqiptarë por edhe ekonomisë të vendit në një vit, të jetë në miliona dollarë. Lëvizja e shpeshtë e kursit të këmbimit, por mbi të gjitha rënia e valutës amerikane, US-Dollarit, ka ndikuar në vlerësimin e mjeteve monetare të Bankës së Shqipërisë. Kështu, gjatë vitit 2007, humbja nga rivlerësimi i monedhave të huaja dhe arit nga luhatja e kursit të këmbimit është në një vlerë prej 8,035,000,000 lekë (afro 90 milionë dollarë). Sipas BSH-së, gjatë vitit 2006, humbja neto arrinte në rreth 3,3 milionë lekë. Përveç depozitave dhe të ardhurave të individëve dhe depozitave të BSH-së, nga ndryshimet e kursit të këmbimit, e ka pësuar rëndë dhe Ministria e Financave gjatë vitit të kaluar. Kështu, në vitin 2007, ministria ka riemetuar letra me vlerë të qeverisë me një total prej rreth 15 miliardë lekësh për mbulimin e humbjeve neto nga rivlerësimi i monedhave, krijuar deri në fund të vitit 2006. Mësohet se kjo shifër përfaqëson mbulimin e humbjeve për periudhën 2003 deri në 2006. Ndërkohë luhatja e kursit të këmbimit nuk ka pasur të njëjtin efekt negativ për letrat me vlerë. Banka raporton se për vitin që shkoi, rivlerësimi i letrave me vlerë me vlerën e tregut gjatë 2007-s, ka sjellë luhatje pozitive prej 1,2 miliardë lekësh.

Kreditë në valutë

Struktura e kredisë sipas monedhave nuk ka pësuar ndryshime të ndjeshme gjatë vitit 2007. Sipas raportit të BSH-së, kredia në valutë dominon tepricën e kredisë me 72.3 për qind të portofolit, krahasuar me 71.1 për qind në dhjetor të 2006. Në ndryshim nga dy vitet e fundit, vitit 2007 tregoi prirje më të madhe të bankave drejt kredisë në valutë. Në veçanti në pjesën e dytë të vitit, kredia në valutë shënoi ritme më të larta rritjeje, mesatarisht prej 53.5 për qind, krahasuar me kredinë në lekë, mesatarisht me 49.8 për qind. Ndërkohë, shpërndarja e portofolit të kredisë së monedhave, favorizohet nga diferenca e ndjeshme e normës së interesit për kredinë në lekë ndaj asaj në monedhë të huaj, të shoqëruara në të njëjtën kohë nga një vlerësim i qëndrueshëm i lekut gjatë viteve të fundit. Gjithashtu edhe kuotimi i çmimeve të disa produkteve të ndërmjetme apo të përfunduara në monedhë të huaj, euro, mendohet se nxit kërkesën për kredi në euro. Kjo kredi, në dhjetor 2007 arriti në 90 për qind të portofolit të kredisë në valutë.

Struktura valutore

Rezervat valutore të autoritetit monetar për vitin 2007 u rritën me 148.6 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, rezultoi që niveli i tyre në fund të vitit 2007 shënoi vlerën 1.5 miliardë euro, duke qenë i mjaftueshëm për të mbuluar rreth 4 muaj importe mallrash dhe shërbimesh. Gjithashtu për të njëjtën periudhë paralelisht janë rritur edhe depozitat në valutë. Sipas BSH-së, rritja e parasë së gjerë në ekonomi ka rezultuar në flukse të larta valutore në formën e depozitave. Në vitet e fundit, rritjes së depozitave në valutë në sajë të prurjeve valutore nga remitancat, i janë shtuar fluksit të parasë në valutë të gjeneruara nga ndërmjetësimi financiar. Kështu, ndërsa niveli i mjeteve valutore neto të sistemit bankar është luhatur afër një prirje të qëndrueshme, niveli i depozitave në valutë është rritur me ritme të shpejta. Në fund të vitit 2007, pesha e depozitave në valutë ndaj depozitave totale është rritur në rreth 42.5 për qind, kundrejt 38.5 për qind në vitin 2006. Ndërkohë pesha e mjeteve valutore neto ndaj depozitave totale ka pësuar rënie në rreth 10 për qind në vitin 2007, kundrejt 14 për qind në fund të vitit 2006. Gjatë vitit 2007 depozitat në valutë u rritën me rreth 30 për qind, ndërsa mjetet valutore neto të sistemit kanë qëndruar në të njëjtin nivel kundrejt vitit 2006.

Të dhëna

148.6 milionë euro
ishte diferenca e rritjes së rezervave valutore të autoritetit monetar për vitin 2007, si rrjedhojë e pozicionit pozitiv të përgjithshëm të bilancit të pagesave për këtë periudhë

1.5 miliardë euro
ishte niveli i rezervave valutore në fund të vitit 2007, që konsiderohet si një rritje e mjaftueshme për të mbuluar rreth 4 muaj importe mallrash dhe shërbimesh në vend

42.5 për qind
ishte pesha e depozitave në valutë ndaj depozitave totale është rritur në rreth në fund të vitit 2007, ku kjo shifër konsiderohet e tillë kundrejt 38.5 për qind të depozitave në vitin 2006

30 për qind
ishte rritja e depozitave në valutë gjatë vitit 2007, ndërsa mjetet valutore neto të sistemit kanë qëndruar në të njëjtin nivel kundrejt vitit 2006, ku rritja e depozitave ishte maksimale

53.5 për qind
ishte rritja mesatare e kredive në valutë në pjesën e dytë të vitit 2007, ku rritja vlerësohet në nivelin e ritmeve të larta krahasuar me kredinë në lekë, mesatarisht 49.8 për qind

90 për qind
ishte pjesa e kredisë së dhënë në euro të portofolit të kredive në valutë në dhjetor 2007, ku shkaku kryesor ishte kuotimi i çmimeve të disa produkteve në euro

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›