BSH: Nevoja për kreditim e ekonomisë mbetet e lartë
Përsa u përket zhvillimeve monetare, shifrat e fundit për muajin qershor tregojnë se kërkesa për mjete monetare në ekonomi ka rezultuar e balancuar. Ritmet më të ulëta të kredidhënies për sektorin privat janë balancuar nga një kërkesë më e lartë e agjentit fiskal për fonde. Rritja e ofertës monetare rezultoi rreth 6% në muajin qershor duke u bazuar në krijimin e parasë në ekonomi nga sektori publik dhe nga huamarrja e sektorit privat në lekë. Pavarësisht zhvillimeve pozitive të muajit mars dhe prill, në muajin qershor vihet re një ngadalësim i ndjeshëm i rritjes së tepricës së kredisë. Në muajin qershor norma vjetore e rritjes së portofolit te kredisë u ngadalësua në 14%, ndërkohe që në krahasim me muajin maj kredia u zvogëlua me rreth 1 miliardë lekë. Kjo ecuri pasqyron nivelet më të ulëta të kredidhënies për sektorin privat të ekonomisë (kryesisht në euro), shlyerjet e larta të kredive si dhe natyrën afatshkurtër të kredisë së re. Shlyerjet më të larta të kredisë kanë ndikuar në përmirësimin e moderuar të cilësisë në portofolit. Bankat vazhdojnë të aplikojnë politika të shtrënguara kreditimi duke reflektuar shqetësimin e tyre për rritjen e raportit të kredive të këqija ndaj totalit por edhe duke shprehur pasigurinë e tyre për zhvillimet e aktivitetit ekonomik në të ardhmen. Këto politika së bashku me pasigurinë për zhvillimet e ardhshme duket të kenë ndikuar edhe në tkurrjen e kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, pasiguria në lidhje me zhvillimet e ardhshme në kursin e këmbimit mbetet një rrezik i mundshëm për gjenerimin e presioneve inflacioniste.
“Alpha Bank” në Greqi, rezultatet për gjysmën e parë të vitit 2009
“Alpha Bank” në Greqi shpalli në datën 6 gusht rezultatet për gjysmë vitin 2009, duke raportuar 214.7 milionë euro fitime neto. Yannis S. Costopoulos, drejtor i grupit, deklaroi “Në çerekun e dytë të këtij viti kemi vënë re shenja të rritjes së stabilitetit në kushtet e mikro-ekonomisë, pas një periudhe pasigurie të konsiderueshme. Fokusi ynë mbetet menaxhimi i kujdesshëm i bilancit tonë. Modeli ynë i biznesit, i cili i përket një cikli të kreditit elastik, sjell një grup shumë të fortë fitimesh dhe rrit në mënyrë të konsiderueshme treguesit tanë të kapitalit në kushtet e tregut të sotëm. Përmirësimi i kapacitetit tonë të fitimit, i shoqëruar me menaxhimin vigjilent të cilësisë së kreditit, do të lejojë rritjen e fleksibilitetit në menaxhimin e biznesit tonë për të shkuar përpara. Veçanërisht për Shqipërinë, ku ‘Alpha Bank’ shënon një dekadë prezencë në treg, operacionet tona sollën 4.1 milionë euro përfitime për këtë periudhë. Portofoli i kredive u rrit me 9.3 % në çdo 3 mujor në 518 milionë euro duke përfshirë organizatat ndërkombëtare, ku ne kryesojmë financimin e projekteve të caktuara në infrastrukturë. Depozitat në bankën tonë arritën vlerën e 396 milionë euro, 6% më shumë se vitin e kaluar. Z. Mantzounis, drejtori i “Alpha Bank” deklaroi: “Në këtë ambient kompleks operues, ‘Alpha Bank’ ka forcuar bilancin e saj. Ne kemi rritur nivelin e likuiditetit dhe kapitalit tonë, si dhe kemi rritur konsiderueshëm rezervat për të zbutur përkeqësimin e parashikuar të cilësisë së aktiveve. Menaxhimi ynë vazhdon të marr masa për të përmirësuar kapacitetin tonë të fitimit përmes rregullimit të riskut të çmimit si dhe të veprimeve për kontrollin e kostos. Gjithashtu, veçanërisht inkurajuese është hyrja në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Kjo ishte evidencë nga transaksioni ynë i fundit i pagarantuar i një financimi prej 500 milionë eurosh, i cili ishte një hap i parë në diversifikimin e fondeve tona me shumicë, larg nga skema e qeverisë për likuiditetin”.
27 Gusht 2009