E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriminaliteti e ndan Shqipërinë në tri pjesë

Studimi i Ministrisë së Drejtësisë, zbardhet harta e kriminalitetit në vend

Laureta Rryçi

Tiranë - Kriminaliteti e ka ndarë territorin e Shqipërisë në tri pjesë. Të paktën këto janë të dhënat më të fundit të dala nga një studim i Ministrisë së Drejtësisë mbi qytetet më me probleme në të gjithë vendin. Në këtë studim janë bërë krahasime edhe me vitet e kaluara dhe shifrat tregojnë se kriminaliteti në vend ka pësuar rritje nga viti në vit. Për studimin specialistët janë bazuar në të dhënat zyrtare që janë ofruar nga Prokuroria dhe të gjitha gjykatat në vend. Specialistët kanë bërë kalkulime mes dosjeve që janë marrë në hetim nga institucioni i akuzës dhe numrit të dosjeve që kanë kaluar për gjykim nëpër gjykata. Në varësi të shifrave sipas gjykatave, janë bërë dhe përllogaritjet e koeficientit të kriminalitetit në vend.
Studimi
Studimi për kriminalitetin ka listuar në grupin e qyteteve më me probleme; Durrësin, Korçën, Krujën, Gjirokastrën, Kurbinin, Shkodrën, Tiranën, Tropojën dhe Vlorën. Në përllogaritjet e specialistëve ka rezultuar se në bazë të numrit të popullsisë që kanë, këto rrethe kanë numrin e krimeve më të lartë. Në një nivel pak më të ulët për krime vijnë Dibra, Fieri, Kavaja, Lezha, Mati, Pogradeci dhe Saranda. Ndërsa në qytetet më të qeta kanë rezultuar Berati, Elbasani, Kukësi, Lushnja dhe Puka.
Faktorët
Për rrethe të tilla, si Durrësi, Vlora, Tirana dhe Gjirokastra një nga faktorët që ndikon në rritjen e kriminalitetit është edhe eksportimi i krimit për arsye të pozicionit të tyre gjeografik, pasi disa nga veprat penale të kryera, si p.sh. trafiqet apo kalime të paligjshme të kufirit janë kryer nga banorë me banim jashtë këtyre rretheve. Vëmendje të veçantë paraqet edhe analiza e llojit të veprave penale që konsumohen dhe për të cilat gjykatat japin vendim përfundimtar. Në këtë këndvështrim krimin më të ashpër e ndeshim në rrethet: Durrës, Gjirokastër, Kurbin, Tropojë dhe Tiranë, ku mbi 50 për qind e tyre janë krime kundër jetës, krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike. Gjithashtu, disproporcion kemi edhe në raportin krime kundërvajtje, p.sh., në rrethin e Durrësit, nga 725 çështje të gjykuara 551 janë për krime dhe 210 kundërvajtje, pra 76 për qind janë krime; në rrethin e Gjirokastrës, nga 317 çështje të gjykuara 187 janë për krime dhe 130 kundërvajtje, pra 59 për qind janë krime. Ndërsa në rrethin e Tiranës, nga 1732 çështje të gjykuara 1324 janë për krime dhe 408 kundërvajtje, pra 76 për qind janë krime; në rrethin Fier, nga 461 çështje të gjykuara, 325 janë gjykuar për krime dhe 136 për kundërvajtje, ose 70 për qind e tyre janë krime. Kjo dukuri vërehet edhe për vitet e kaluara.
Të dhënat
Në përllogaritjen e koeficientit të kriminalitetit janë shfrytëzuar të dhënat zyrtare për numrin e popullsisë të marra nga INSTAT-i dhe që i referohen vitit 2008. Në numrin total 3 177 385 të popullsisë janë llogaritur dhe rrethet që nuk kanë një
gjykatë, por që çështjet e tyre gjykohen nga gjykatat e rretheve gjyqësore të mësipërme p.sh., popullsia e Shkodrës është 186 958 dhe popullsia e Malësisë së Madhe 36 645, ku shtrin veprimtarinë rrethi gjyqësor Shkodër. Për këtë arsye në tabelën e koeficientit të kriminalitetit, numri i popullsisë së rrethit Shkodrës është 223 603. Po kështu është vepruar me 20 gjykatat e tjera që kanë kompetenca tokësore dhe shtrijnë veprimtarinë e tyre në rrethet që nuk kanë një gjykatë si p.sh. në rrethet Has, Bulqizë, Kuçovë etj.

Studimi, kriminaliteti në vite

Për vitin 2008, në krahasim me vitet e mëparshme, raporti i koeficientit më të lartë të kriminalitetit me atë më të ulët është ngushtuar. Po të bëjmë krahasimin me vitet 2002, 2003, 2004, vitin 2005 dhe vitin 2006, kriminaliteti në
vend është ulur, por në krahasim me vitin 2007, ky koeficient në shkallë vendi ka pësuar rritje. Kështu koeficienti i kriminalitetit, nga 113 krime për 100 000 banorë në vitin 2002; 131 krime për 100 000 banorë në vitin 2003; 136 krime për 100 000 banorë në vitin 2004; 129 krime për 100 000 banorë në vitin 2005, 142 krime për 100 000 banorë në vitin 2006; 129 është krime për
100 000 banorë në vitin 2007 dhe 148 është krime për 100 000 banorë në vitin 2008. Shohim se në vitin 2006 dhe vitin 2008 kemi koeficient kriminaliteti afërsisht të njëjtë. Edhe koeficienti për vepra penale (krime + kundërvajtje) paraqet variacionin e vlerave absolute të çështjeve penale të gjykuara nga 157 në vitin 2002 në 184 gjatë vitit 2003; 208 në vitin 2004; 193 çështje të gjykuara për çdo 100 000 banorë në vitin 2005, 205 çështje të gjykuara për çdo 100 000 banorë në vitin 2006; 197 çështje të gjykuara për çdo 100 000 banorë në vitin 2007 dhe 228 çështje të gjykuara për çdo 100 000 banorë në vitin 2008.

Kriminaliteti e ndan territorin e Shqipërisë në 3 grupe kryesore:

GRUPI I
Kriminalitet më të lartë se mesatarja (148 – 360 krime për 100 000 banorë) kemi në rrethet Durrës, Korçë, Krujë, Gjirokastër, Kurbin, Shkodër, Tiranë, Tropojë dhe Vlorë.

GRUPI II
Kriminalitet që në koeficient është i përafërt me mesataren e vendit (100 – 148 krime për 100 000 banorë) ka në rrethet Dibër, Fier, Kavajë, Lezhë, Mat, Pogradec dhe Sarandë.

GRUPI III
Kriminalitet me vlera nën mesataren e vendit (67 – 99 krime për 100 000 banorë) kemi në rrethet Berat, Elbasan, Kukës, Lushnjë dhe Pukë.

Maksimumi dhe minimumi i kriminalitetit në vend janë:
Maksimumi: Tropojë, Vlorë, Durrës, Kurbin dhe Tiranë
Minimumi: Elbasan, Lushnjë dhe Kukës

Gjykata Krime Popullsia Koeficienti Vepra penale Koeficienti për vepra penale

Berat 170 173256 98 309 178
Dibër 94 94264 100 148 157
Durrës 515 242026 213 725 299
Elbasan 233 347400 67 512 147
Fier 325 232533 140 461 198
Gjirokastër 187 103585 180 317 306
Kavajë 106 83483 127 152 182
Korçë 287 188560 152 467 248
Krujë 79 67747 117 125 184
Kukës 50 58716 85 131 223
Kurbin 105 55163 190 191 346
Lezhë 145 104273 139 227 218
Lushnjë 97 144822 67 174 120
Mat 70 49694 141 111 223
Pogradec 76 71366 106 159 223
Pukë 21 25077 84 83 331
Sarandë 69 59794 115 137 229
Shkodër 357 223603 160 542 242
Tiranë 1324 712947 186 1732 243
Tropojë 61 17068 357 101 592
Vlorë 339 97247 348 469 482

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›