BSH: Norma bazë e interesit nuk ndryshon
TIRANE- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Ka deklaruar kështu dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas mbledhjes së Këshillit, që mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare për muajin nëntor. Bankat e nivelit të dytë nuk e kanë përcjellë ende vendimin e Bankës së Shqipërisë për uljen me 0.5% të normës bazë të interesit për lekun, i cili synonte t'i bënte më të lira kreditë në monedhën vendase, duke i dhënë kështu nxitje kreditimit të ekonomisë. Ky fakt është pranuar nga Fullani, i cili ka shtuar se bankat vazhdojnë të zbatojnë politika shtrënguese në kreditimin e bizneseve dhe qytetarëve. "Ulja e normës bazë të interesit në fund të muajit tetor shënon forcimin e kërkesës së brendshme dhe të rigjallërimit të kreditimit të ekonomisë. Efekti i këtij sinjali në ekonomi nuk është shfaqur akoma i plotë. Në muajin shtator, portofoli i kredisë për ekonominë është rritur me ritme më të ulëta krahasuar me muajt e mëparshëm. Ritmi vjetor i rritjes së kredisë zbriti në nivelin 13.2%", - vuri në dukje ai.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)