E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Kufijtë detarë’ përçajnë Kushtetuesen

TIRANE- Marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë përçan Gjykatën Kushtetuese. Kolegji i përbërë nga tre gjyqtarët Sokol Berberi, Fehmi Abdiu dhe Xhezair Zaganjori, pasi mori në shqyrtim kërkesën ankimore të 6 partive politike të majta e të djathta lidhur me marrëveshjen, nuk ka arritur në një vendim unanim për kalimin ose jo të çështjes në seancë plenare. Tre anëtarët e Kolegjit i kanë kaluar shqyrtimin e kërkesës ankimore mbledhjes së Gjyqtarëve, e cila vendos me shumicë votash për kalimin ose jo të çështjes në seancë plenare.

Anëtarët e mbledhjes së Gjyqtarëve janë të 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Neni 31 i ligjit Nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” sanksionon se, “kur kërkesa është paraqitur nga subjekti që legjitimohet dhe çështja është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese, Kolegji vendos kalimin e çështjes në seancë plenare, ndërsa kur ajo nuk është paraqitur nga subjekti që legjitimohet ose çështja nuk është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese, Kolegji vendos moskalimin e çështjes në seancë plenare. Në të gjitha rastet, kur ndonjë nga gjyqtarët e Kolegjit nuk është i një mendimi me të tjerët, kërkesa i kalon për shqyrtim paraprak mbledhjes së Gjyqtarëve, e cila vendos me shumicë votash për kalimin ose jo të çështjes në seancë plenare. Në të gjitha rastet e mësipërme, Kolegji ose mbledhja e Gjyqtarëve nuk shqyrton zgjidhjen në themel të çështjes”. Mbledhja e Gjyqtarëve të Kushtetueses duhet të shprehet për kalimin ose jo të çështjes në seancë plenare deri para datës 9 dhjetor, e cila është afati i fundit i përcaktuar në bazë të ligjit për këtë qëllim.

Presioni i maxhorancës
Maxhoranca po shton presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar kërkesën ankimore të 6 partive politike të majta e të djathta, lidhur me marrëveshjen për kufirin detar Shqipëri– Greqi. Deputeti demokrat i komisionit parlamentar të Ligjeve, Eduart Halimi, njëherësh ish-avokati i Shtetit, deklaroi pak kohë më parë në një prononcim për mediat se ankimimi në fjalë është i paargumentuar, nuk ka bazë ligjore dhe si i tillë, ai është i destinuar të rrëzohet. Ndërkohë, burime zyrtare pranë Gjykatës Kushtetuese konfirmuan dje për “Gazeta Shqiptare” se disa deputetë të maxhorancës, madje dhe ministra, po ushtrojnë presion permanent mbi anëtarët e trupës gjykuese për të rrëzuar kërkesën ankimore.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›